Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe fillimi i bllokadës së Kuvendit të Kosovës janë ngritur pandehma mbi dobësinë politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Se si i njëjti edhe pse i ka fituar zgjedhjet me 48 deputetë, nuk është në gjendje t’i formojë institucionet e reja. Dhe se është paralizuar në një rreth vicioz me mundësi minimale për ta çarë këtë izolim. Sidoqoftë, personalisht jam i prirur ta shoh më ndryshe këtë realitet.
Përkundrazi, që lideri i Vetëvendosjes aktualisht është lideri më i suksesshëm politik në vend. Dhe atë jo vetëm pse i ka fituar zgjedhjet e fundit. Por mënyra se si po e ushtron pushtetin e tij pa asnjë rezistence politike dhe shoqërore. Madje ky paradoks e sfidon edhe konstatimin e filozofit francez, Michel Focualt, i cili shkruante se “çdo pushtet prodhon rezistencë”.
Kuptohet më këtë nuk po them as që është më i drejti, apo më i miri, si dhe veprimet e tij janë një domosdoshmëri historike për shtetin e Kosovës. Por po flas ushtrimin e rolit të tij politik pa ndonjë sfidë. Dje ishte dështimi i 50 i konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Por thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Madje kjo seri e bllokimeve është bërë e zakonshme. Një rutinë ditore. Dhe po shndërrohet në një gjendje normale. Jemi në prag të skadimit të afatit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon konstituimin e Kuvendit në afat prej 30 ditësh. Por ka gjasa qe edhe ky afat të mos përfillet. Në anën tjetër, Gjykata Supreme ka konstatuar se sipas “nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar”. E, të njëjtit vazhdojnë t’i ushtrojnë këto funksione pa asnjë trazim. Dhe po ashtu mungon reagimi qytetar. Përkundrazi, pushteti i jep vetës luksin për ta interpretuar këtë vendim sipas kutit dhe interesave të tij, duke e konsideruar të njëjtin si arbitrar, jo logjik dhe në funksion të interesave për monopol ekonomik të trashëguar nga pushtetet e kaluara.
Një praktikë kjo në antinomi me logjikën e demokracive parlamentare kushtetuese, ku interpretimi i normave ligjore është detyrë e gjyqësorit. Megjithatë, edhe në këtë rast nuk ka ndonjë reagim domethënës shoqëror. Mbase një gjë e tillë nuk është e rastësishme. Por pasoje e relativizimit të besimit në sistemin e drejtësisë. E triumfit shoqëror të retorikës politike të Albin Kurtit mbi njëanshmëritë e tij . Vetëm mund të paramendohet se çfarë reagime do të kishte pasur sikur akte të tilla të kishin ndodhur në “regjimin e vjetër”. Kurse në anën tjetër edhe ushtrimi i pushtetit jashtë çdo kontrolli parlamentar nuk po shihet me si anomali politike dhe juridike. Është thënë shpesh se edhe ky skenar në funksion qëllimeve politike të Albin Kurtit.
Gjithsesi edhe në këtë rast dominon një anomi shoqërore. E të mos flasim për rritje të çmimeve të jetës, konsumit e derti të shtrenjtimi i rrymës. Protestat, sidomos për çmimin e tarifave energjetike u shuan pa filluar mirë. Duke e ekspozuar kështu Albin Kurtin si figurën që mund ta garantojë stabilitetin shoqëror. Le të kujtojmë vetëm se çka kishte ndodhur (ndonëse për arsyeje tjera) në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. E të mos flasim për dukuri tjera. Kur Albinit Kurtit i nevojitet përdorimi i hapësirave universitare për aktivitete partiake, brenda natës ndryshon statuti i këtij institucioni duke ia përshtatur interesave të tij. Ndërkohë në përgjithësi komunitetin akademik e veçon një heshtje mortore, nga ky shpërdorim politik i ambienteve universitare Për fund, suksesin e pakontestuar politik të Albin Kurtit, asgjë nuk e demonstron më shumë se sa dita djeshme. Tre punëtorë, dy në qytetin e Gjakovës, dhe një që ishte lënduar më herët në atë Istogut, ndërruan jetë si pasojë e lëndimeve në punë. Por përsëri asnjë reagim. E, sipas të dhënave të Sindikatës së Sektorit Privat, me rastet e djeshme vetëm për këtë vit ka “shkuar në 18 numri i të vdekurve si pasojë e lëndimeve në vendin e punës”.
Por përsëri opozita qëndron e fjetur nën jorganin politik të Albin Kurtit. Situatë kjo që krijon përshtypjen, sikur edhe këta të fundit, janë pajtuar që edhe humbja e jetës në vendin e punës është dukuri normale nën qeverisjen e Albin Kurtit, prandaj nuk ka nevojë për reagim e mobilizim në mbrojte të këtyre të drejtave. Sepse si duket të njëjtit kanë filluar t’i besojnë më shumë retorikës së majtë të liderit të Vetëvendosjes sa sa gjendjes në terren.