Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Konstatimet e gabuara ekonomike të Karl Marksit për kontratat një burimore në Kosovë

Konstatimet e gabuara ekonomike të Karl Marksit për kontratat një burimore në Kosovë

Shkruan: Afrim Kasolli

Po të ishte gjallë Karl Marksi dhe ta vëzhgonte realitetin ekonomik dhe politik në Kosovë ,mbase do ta kuptonte se interpretimi i tij mbi raportet e infrastrukturës ekonomike dhe superstrukturave politike nuk është i vetmi shpjegim mbi funksionimin e modelit kapitalist. Sipas këtij teoricieni mbi kapitalin, e para i paraprin të dytës.

Mirëpo, denoncimi i fundit që partitë politike kanë filluar t’i bëjnë njëra tjetrës për përdorimin e kontratave një burimore apo te negociuara siç quhen në termin zyrtar, flet për konvertim të kritereve marksiste të interpretimit ekonomik, sepse në këtë rast superstrukturat politike janë shndërruar në instrument të fuqizimit të infrastrukturës ekonomike.

Fillimisht, ishin partitë opozitare qe e denoncuan këtë praktike qeverise duke aluduar se shuma e tyre gjatë këtij mandati ka kapur vlerën e mbi 250 milionë eurove. Dhe se janë gjithsej 1805 tenderë të tillë që janë dhënë që nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet. Dhe sipas tyre ato janë një burim i madh korrupsioni.

Në anën tjetër eksponentë të partisë në pushtet reaguan duke i kundërshtuar këto interpretime me arsyetimin se komunat si kategori përbëjnë 43 % të totalit të kontratave të negociuara (një burimore). Dhe se rekordi i aplikimit të këtij modeli kontraktual ka ndodhur në vitin 2008 si dhe në vitin 2015, kur në koalicion ishin PDK dhe LDK. Kurse aktualisht Qeveria përbën vetëm 15 për qind të këtyre kontratave. Ndërkaq sa i përket komunave, ajo e Prishtinës prin e cila drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Me një fjalë pushteti nuk po e mohon se ka vepruar në këtë drejtim si partitë e regjimit të vjetër, por jo në atë masë sa ato.

Sidoqoftë, këto dy gjysmë të vërteta mbase e pasqyrojnë te vërtetën e plotë të sistemit tonë politik dhe ekonomik. Fakt është se të gjitha partitë që kanë qeverisur deri më tani i kanë përdorur kontratat një burimore. Dikush më shume e dikush me pak. As nuk mund te mohohet fakti se edhe komunat si dhe ndërmarrjet publike i kanë përdorur ato. Këto të dhëna mund të gjenden lehtësisht edhe në raportin “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” të financuar nga BE, dhe të implementuar nga Demokraci Plus (D+)”. Po ashtu, edhe që e lejon ligji këtë model të kontraktimit është evidente. Pra me këtë procedurë, “autoritetet kontraktuese ftojnë një apo disa operatorë që të dorëzojnë oferta ndërkohë tenderimi nuk është i hapur për kompanitë të cilat nuk janë të ftuara.” Por kjo mënyrë e shpenzimit të parasë publike nuk mund të shndërrohet në normë, sepse pikërisht “Ligji i Prokurimit Publik tenderët një-burimore i përcakton si përjashtim dhe vetëm në raste shumë të kufizuara”, mbase vetëm në situata të jashtëzakonshme kur nuk ekzistojnë kushte objektive shoqërore dhe ekonomike për aktivitet normal konkurrues.

E siç shihet nga ky interpretim , duket që partitë politike në Kosovë janë tunduar nga kjo hapësirë ligjore për ta shndërruar në gjendje të zakonshme atë që është menduar vetëm si e jashtëzakonshme. Si dhe për ta transformuar në rregull institucional dhe politik atë që është paramenduar të jetë si përjashtim. Ku këto kontrata të përdorën si maskë për forcimin e kompanive që mund të jenë të lidhura me to. Pra është ky një lloj “kapitalizmi partiak”, ku pushteti shërben si mjet për forcimin ekonomik të partive, fuqizim ky që më pastaj ua mundëson ta akomodojnë klientelën elektorale. /TV Arbëria

Themes by WordPress