Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Konjufca: Vendimi për Manastirin e Deçanit tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor

Konjufca: Vendimi për Manastirin e Deçanit tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së KiE-së, që është njëherazi edhe deputet, si dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Francës, Bertrand Bouyx, me të cilin  diskutuan për votimin e 27 marsit, ku u miratua raporti që rekomandon se Republika e Kosovës duhet të ftohet të bëhet shtet anëtar në Këshillin e Evropës.

Konjufca ka falënderuar Bouyx për punën e tij dhe për mbështetjen e Francës si shtet partner, duke i shprehur mirënjohje për angazhimin që kjo fazë e parë për anëtarësimin e Kosovës në KiE të kalohej me sukses.

Sipas komunikatës nga zyra e kryetarit tw Kuvendit, Konjufca dhe Bouyx u pajtuan se është e rëndësishme që të vijojë puna dhe angazhimi deri në përfundim të plotë të këtij procesi, së bashku me shtetet mike, pas të cilit Republikës së Kosovës i hapet rruga për arritje edhe më të mëdha në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë.

“Kryetari Konjufca u shpreh se mekanizmat dhe institucionet e shtuara në disponim për Kosovën, siç është edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do t’ia rrisin edhe më tej punën dhe rezultatin pozitiv vendit tonë në gamën e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Anëtarësimi në KiE nuk është përfundim, por fillim i një angazhimi edhe më të madh në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu thuhet se, Konjufca u shpreh edhe rreth vendimit për Manastirin e Deçanit. Ai tha se ky ishte një vendim i vështirë dhe pikërisht kjo tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor.

Bouyx e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duke qenë shumë optimist se ky proces do të përfundojë me sukses. /Telegrafi/

Powered by WordPress