Kryeparlamentari Glauk Konjufca sot është pyetur mbi komentet që i janë kërkuar Kosovës dhe Serbisë t’i dërgohen Bashkimit Europian për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizim.
Në përgjigje, ai ka shpalosur kornizën mbi të cilat do të hartohen këto komente nga Qeveria, duke shtuar se ajo do të bëhet në mënyrën se si Kosova e koncepton marrëveshjen bazike, që është fundamentale, sipas tij, të shpjegohet “pse ne kemi të drejtë”.
“Pozicioni insistues që kjo marrëveshje të respektohet dhe zbatohet është i pazëvendësueshëm. E para, marrëveshja prej parimeve dhe çështjeve konkrete. Parimet prej të cilave përbëhet marrëveshja duhet të hynë në fuqi në momentin që është pranuar nga ana e Serbisë. Parimet e përbëjnë frymën e marrëveshjes dhe unë do t’i kisha cek. Parimet nuk kanë afat, nuk mund të thuash më 1 janar të vitit 2025 do të fillojë zbatimi i parimit. Parimet janë themelet e marrëveshjes dhe në nenin e dytë të marrëveshjes e keni barazinë sovrane në mes të Kosovës dhe Serbisë. ky nuk ka afat ky parim. S’mund të thotë Serbia që me Kosovën do të sillet agresore dhe me një moment të caktuar do të bëhet fqinj i mirë. Fqinj i mirë, Serbia ka zgjedhur që të jetë në letër në momentin kur e ka pranuar marrëveshjen”.
Konjufca potencoi se marrëveshja përmban edhe “zgjidhjen paqësore të të gjitha problemeve”, por shtoi se pas dakordimit të kësaj marrëveshje “ne përjetuam Banjskën në shtator”.
Konjufca tha se ka çështje të cilat mund të kenë afate dhe këtu radhiti edhe Asociacionin.
“Pastaj, janë çështjet konkrete që mund të kenë afate, për shembull kur do të hapet misioni diplomatik i Kosovës në Serbi dhe çështje tjera. Problemi është që Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes. Mund t’i përmendi dy: barazinë sovrane mes shteteve, duke e mos fare Kosovën si shtet, as de facto; dhe e dyta atë principin e mospengimit të Kosovës të anëtarësohet në institucionet europiane”.
Konjufca tha se zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e adresoi “qartë shkeljen e Serbisë”.
“Serbia ka bërë shkelje të marrëveshjes sa i përket pengimit të Kosovës në KiE. Në këtë interpretim të marrëveshjes, Kosova ka të drejtë. Nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve, kur Bërnabiq në cilësinë e kryeministres i dërgon letrën për të zhvlerësuar marrëveshjen”.
Konjufca tha se s’mund të ketë barazi sovrane të shteteve nëse e pengon Kosovën në çdo hap dhe tha se Serbia dëshiron që t’ia shkatërrojë Kosovës subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
“Ne kemi subjektivitetin ndërkombëtar edhe pa Serbinë, po fakti që Serbia po i shkel të gjitha këto parime që i përmenda, kjo na jep neve të drejtë që të mos të mund ta hedhim hapin tjetër për të gjitha pjesët e kësaj. Ju e keni e dëgjuar Asociacionin që po thonë. Asociacioni është pika e shtatë e kësaj, ai mund të ketë afat. Por, Asociacioni nuk është parim. Nëse ne sulmohemi nga Serbia, nëse ministri i Mbrojtjes i Serbisë thotë “kur ushtria të kthehet në Kosovë”, këtu janë shkelë parimet e marrëveshjes. Kjo është fryma e marrëveshjes. Ne nuk kemi fqinjësi të mirë, ne kemi armiqësi dhe jo për shkak tonin, po për shkak të Serbisë dhe pozicionimit të saj”.
Konjufca tha se mbi këtë kornizë do të shpjegohet me BE-në në “shkëmbimet që do t’i ketë Qeveria”.