Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Konjufca: Transparenca, një prej elementeve thelbësore

Konjufca: Transparenca, një prej elementeve thelbësore

Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Kosovës hapi dyert për të gjithë qytetarët që duan ta vizitojnë. Me këtë rast, kryeparlamentari Glauk Konjufca vlerësoi se transparenca është një prej elementeve thelbësore të një qeverisje demokratike, derisa potencoi se këtë vit po festohet kjo ditë më ndryshe meqë është bërë anëtarësimi i vendit tonë në partneritetin për qeverisje të hapur.

Konjufca e quajti testament të së kaluarës ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit dhe arritjen e lirisë dhe pavarësisë.

“Po e shënojmë bashkërisht këtë ditë të rëndësishme e cila na e rikujton edhe njëherë rëndësinë dhe vlerat që përfaqëson sistemi demokratik i qeverisjes por edhe sfidat që e rrezikojnë shëndetin e demokracisë, por edhe që e kanë tendencën për ta minuar atë. Gëzohem po ashtu që kjo ditë ndërkombëtare e demokracisë po shënohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Edhe kësaj radhe, ajo shënohet me aktivitete të shumta edhe së bashku me grupet e ndryshme shoqërore, aktivitete këto që po e promovojnë hapjen e institucionit të Kuvendit të Kosovës ndaj publikut. Ky është edhe qëllimi i festimit të kësaj dite. Këtë ditë, sivjet po e shënojmë edhe me një lajm të mirë që e morëm para pak ditësh, që është anëtarësimi i Republikë së Kosovës në partneritetin për qeverisje të hapur. Transparenca është një prej elementeve thelbësore të një qeverisje demokratike. Kjo e rritë besueshmërinë e publikut dhe të shoqërisë në institucionet tona dhe në të njëjtën kohë edhe e bën qytetarin hisedar të vendimmarrjes dhe pjesëmarrës në procesin demokratik”, tha Konjufca.

Po ashtu, edhe kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni e cilësoi si moment të rëndësishëm shënimin e kësaj dite, meqë sipas saj Kosova ka shënuar progres të madh sa i përket demokracisë.

“Shënimi i kësaj dite është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën sepse reflektojmë mbi progresin dhe sfidat që i kemi kaluar ne si vend dhe sigurisht mbi ato që po kalojmë për të arritur progresin e dëshiruar. Sot, teksa po e shënojmë këtë ditë na gëzon fakti se progresi që ka shënuar Kosova në këtë drejtim ka qenë mjaft i madh. U radhitëm vetëm të tretit në botë sa i përket të qenit demokratik nga raportet e nxjerra nga Freedom House, çfarë na bënë pra shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor, dhe përtej kësaj. Ky progres është arritur, sepse në të gjithë këtë proces ka pasur përfshirje të qytetarëve, përfshirje të shoqërisë civile në të gjitha proceset vendimmarrëse, për të ndërthurur vlerat e demokracisë me iniciativat për transparencë dhe llogaridhënie në nivel qytetar”, tha Kryeziu-Hyseni.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së dhe njëkohësisht anëtare në Forumin për Transparencë, Blerta Deliu Kodra tha se Kosova është një shembull i mirë për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe demokratike.

“Pa dyshim që Kosova përbën një shembull të mirë të rrugëtimit të saj për të ndërtuar institucione të pavarura dhe demokratike. Dhe për këtë duhet një falënderim i madh për përpjekjet shumë vjeçare që janë bërë për të konsoliduar shtetin e Kosovës dhe për të bërë që parimi i gjithë përfshirjes i gjeneratave të reja, i pjesëmarrësve aktiv, i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës të jetë gur themel në ndërtimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, përkundër një përpjekje të gjatë që është bërë, forumi ka bërë një punë të mirë dhe natyrisht është një vlerësim i përgjithshëm që forumi për Transparencë Parlamentare brenda Kuvendit të Kosovës, bashkë me organizatat e shoqërisë civile, me akterë të tjerë, me staf të Kuvendit të Kosovës, është përpjekur që këtë institucion ta bëjë sa më të hapur dhe me të qasshëm për qytetarët dhe të gjitha kategoritë”, tha Deliu-Kodra.

/TV Arbëria

Powered by WordPress