Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në vazhdën e vizitës së tij zyrtare në SHBA, është pritur në takim nga ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.
Kryetari Konjufca dhe kongresistja Pelosi, siç është bërë e ditur sot në komunikatë, kanë shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i Kuvendit të Kosovës ka potencuar se Kosova dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar Konjufca.
Në takim kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Washington DC, Ilir Dugolli dhe shefi i stafit, Ilir Kërçeli.
Ndryshe, vizita e kryetarit të Kuvendit në Washington do të vazhdojë edhe me takime të tjera në Kongresin Amerikan.
/TV Arbëria