Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Konjufca: S’do të lejojmë që Vuçiqi, përmes bandave kriminale të komandojë në Kosovë

Konjufca: S’do të lejojmë që Vuçiqi, përmes bandave kriminale të komandojë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas takimit me homologun e tij në Shkup, Talat Xhaferi, ka theksuar se rajoni nuk është imun nga ndikimet e Rusisë, dhe kjo vërehet në veprimet e Serbisë gjatë ditëve të fundit në Kosovë.

“Veprimet e Serbisë janë të papranueshme, ato kanë për qëllim destabilizimin dhe ndarjen de-facto të shtetit të Kosovës. Ne, si popull, qëndrojmë shumë të bashkuar që t’i luftojmë këto veprime, të cilat kanë si prapavijë gjeopolitike ndikimin rus dhe fuqishëm do të ecim në shtetin demokratik të Kosovës për sundim të ligjit dhe për demokraci në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kosova është e përcaktuar për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”, ka theksuar në Shkup, Konjufca, duke komentuar zhvillimet në Kosovë, shkruan REL.

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar, pasi disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Gjatë vizitës në Shkup, Konjufca ka thënë se gjatë këtij muaji Kosova ka ndërmarrë dy veprime, të cilat kanë qenë plotësisht të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian: arritjen e marrëveshjes në Bruksel për çështjen e targave dhe shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Serbia, në anën tjetër, u përgjigj me mbështetjen e eksponentëve, të cilët janë në krye të krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës, e të cilët ndërmarrin veprime të dhunshme dhe të armatosura kundër Policisë së Kosovës dhe i mbyllin rrugët e karakterit ndërkombëtar përmes vendosjes së barrikadave të paligjshme”, ka thënë Konjufca duke rikujtuar që “këta eksponentë janë në listën e zezë të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe”.

“Nuk do të lejojmë që brenda territorit të Kosovës,Vuçiqi të komandojë përmes këtyre bandave”, ka deklaruar Konjufca.

Në listën e zezë amerikane është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për shkak të dyshimit për përfshirje në krimin ndërkombëtar. Ndërkaq, Britania e ka futur në listën e sanksioneve sa i përket korrupsionit.

Vetë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – deklaroi se Radoiçiq është “bartës i rezistencës” në veri.   /TV Arbëria

Powered by WordPress