Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Konjufca pranon raportin e punës së Institutit të Krimeve të Luftës nga shteti serb, në Kosovë

Konjufca pranon raportin e punës së Institutit të Krimeve të Luftës nga shteti serb, në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pranuar sot raportin njëvjeçar të punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Dorëzimi i raportit u bë nga drejtori Ekzekutiv i institutit, Atdhe Hetemi.

Gjatë këtij takimi, kryekuvendari Konjufca theksoi rëndësinë që ka puna e këtij instituti për të dokumentuar të vërtetën e krimeve të luftës së shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke qenë se kjo i shërben faktimit të historisë, përgjigjes ndaj mohimit dhe fshehjes që Serbia i bën krimeve të saj, si dhe hapjes së rrugës për vendosjen e drejtësisë.

 

Drejtori ekzekutiv, Atdhe Hetemi e njoftoi kryekuvendarin Konjufca me punën e deritanishme të institutit, me sfidat dhe të arriturat që priten në vazhdim.

 

Kryekuvendari Konjufca e përgëzoi drejtorin Hetemi për punën e madhe të bërë deri tani nga ky institut në grumbullimin e materialeve dhe tha se kjo shënon një hap domethënës e të domosdoshëm të faktimit të sistemuar.

 

Duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e çështjes, kryetari Konjufca ofroi të gjithë mbështetjen e nevojshme ndaj institutit, në mënyrë që të ketë rezultate sa më të mëdha në plotësimin e këtij synimi aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe popullin tonë.

Powered by WordPress