Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Konjufca “përzuri” dje Listën Serbe nga Kuvendi, veprim ky i cili ngjalli shumë reagime, cilësohet i jashtëligjshme

Konjufca “përzuri” dje Listën Serbe nga Kuvendi, veprim ky i cili ngjalli shumë reagime, cilësohet i jashtëligjshme

Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur seancë, ku në mungesë të korumit, seanca filloi një orë me vonesë, shkruan TV Arbëria.

Problemet vazhduan për mbajtjen e kësaj seance, pasi partitë opozitare e lëshuan sallën.

Por ajo se çfarë mori vëmendjen më të madhe ishte përplasja e Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës me Listën Serbe.

Konjufca u tregua mjaft i ashpër me grupin e deputetëve të Listës Serbe, duke iu thënë se po keqpërdorin paratë e taksapaguesve.

“Ju drejtohem deputetëve të Listës serbe të cilët vijnë dhe provokojnë në këtë mënyrë, është më të vërtetë e patolerueshme në Kuvendin e Kosovës këso sjellje. Njëherë në gjashtë muaj vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës vetëm për t’i keqpërdorur paratë e taksapaguesve dhe në anën tjetër e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që e keni dhe shkoni e i rrini gatitu shefit tuaj kriminel, Radojiçiqit dhe keni guxim dhe vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë dhe kërkoj me lirua Kuvendin e Republikës së Kosovës”, kështu iu drejtua Konjufca Listës Serbe.

Reagimet:

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar menjëherë pas kësaj ngjarje në Kuvend, duke e quajtur të jashtëligjshëm pengimin e deputetëve të Listës Serbe.

Dardan Molliqaj nga PSD-ja këtë e ka quajtur një inskenim të dobët. Duke thënë se nuk është hera e parë që Lista Serbe vie një herë në gjashtë muaj për të siguruar pagat.

“Konflikti me Listen Serbe sot ishte një inskenim i dobët. Ndërkohë që s’kanë përgjigje për teatrin në grevë, kanë zgjedhur t’bëjnë shfaqje e filma vet. Konjufca e bëri sot një simulim elektoral. Ka 18 muaj që deputetët e Listës Serbe nuk janë Kuvend. Ata thjesht janë nënshkruar çdo 6 muaj për t’i marrë pagat. Por Glauku na u paska aktivizu vetëm sot, 2 muaj para zgjedhjeve”, ka shkruar Molliqaj nga PSD-ja.

Kundër veprimit të Konjufcës ka dalë edhe anëtari i kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ai i ka rikujtuar VV-së kohën kur kanë bashkëpunuar me Listën Serbe dhe me kriminelin Milan Radoiçiq.

Ndërkohë analisti politik Afrim Kasolli këtë veprim nga ana e VV-së e ka quajtur elektoral.

Si dhe Kasolli thotë se nga kjo ngjarje përfitojnë të dy partitë, si Lista Serbe ashtu edhe Vetëvendosja.

“Nga kjo ngjarje sot në Kuvend, përfitojnë më së shumti dy parti politike. Lista Serbe te ky komunitet sepse e sforcon edhe më shumë narracionin se është viktimë politike e pushtetit në Kosovë, ku ky i fundit as nuk e donë në institucione, si dhe Lëvizja Vetëvendosje se është e vetmja parti që i kundërvihet Listës Serbe”, ka shkruar Kasolli.

Gjithashtu në seancën e djeshme Kuvendi miratoi katër ligje:

Për Banim Social dhe të Përballueshëm, për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; dhe lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.