Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka reaguar një gjykatë në Serbi e dënoi me gjashtë vjet burgim shtetasin kosovar Nezir Mehmetaj për krime lufte kundër popullsisë civile, duke e quajtur këtë si padrejtësi.
Konjufca ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta rrisë presionin ndaj Serbisë për këtë rast, raporton Express.
“Sot, pas një arrestimi në vitin 2020, pas një akuzimi dhe procesi të shpikur e arbitrar ndaj qytetarit tonë Nezir Mehmetaj, gjykata në Serbi e ka dënuar atë me 6 vite burg. Mendësia e vjetër e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk mund të prodhojë asgjë të re veçse fshehjes së krimeve në njërën anë dhe shpikjes së tyre në anën tjetër. E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Konjufca.
Mehmetaj është dënuar me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999.
Avokati i Nezir Mehmetajt, Milliq Konstantinoviq, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se do ta apelojë vendimin, pasi, sipas tij, gjykata nuk ka prova relevante për asnjë pikë të aktakuzës.
Ai tha se gjykata nuk i ka pranuar provat që janë paraqitur nga mbrojtja, e të cilat, sipas tij, tregojnë se Mehmetaj nuk ka qenë fare në Rudicë në kohën që përmendet në aktakuzë, por ka qenë në Zvicër.
Mehmetaj u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.