Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Konjufca: Ndërkombëtarët e kanë ditë që qeverisja e VV-së do të merrte një vendim, s’është i njëanshëm

Konjufca: Ndërkombëtarët e kanë ditë që qeverisja e VV-së do të merrte një vendim, s’është i njëanshëm

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk beson se do të ketë lëkundje të relacioneve në mes Kosovës dhe shteteve mike të saj pas vendimit të BQK-së për dinarin.

Konjufca tha se shtetet mike gjithnjë e këshillojnë dhe e shtyjnë përpara Kosovën që të veprojë ashtu siç mendojnë ato, por sipas tij, Kosova është ajo që i merr vendimet vet dhe “kurrë nuk i merr vendimet në mënyrë të njëanshme ashtu siç po pretendohet.

Ai tha se aleatët ndërkombëtarë e kanë ditur që nën qeverisjen e VV-së do të merret një vendim i tillë, për të cilin tha se kanë pritur tash e tri vjet për ta marrë.

“Çështja për dinarin është ditur qysh moti që Lëvizja Vetëvendosje ka pritur tash e tri vite për ta marrë këtë vendim. Ndërkombëtarët e kanë ditë që nën qeverisjen e VV-së do të merret një vendim i tillë sepse kur kanë qenë në pushtet formacione të tjera, nuk është zbatuar një rregull që është e shkruar. Dinari ilegal në Kosovë është prej kur ka hyrë në fuqi euro”.

“Mirëpo ai ka funksionuar në mënyrë ilegale sepse e kanë mbyllur njërin sy institucionet e Kosovës, qeveria, BQK-ja dhe institucionet financiare të Kosovës. Për një moment ne kemi vendosur mos t’i mbyllim sytë dhe të tregojmë se kjo është ajo cka shkruan në letër. Nuk mendoj se kjo nuk do të duhej të ishte problem i madh për bashkësinë ndërkombëtare, unë këtë e konsideroj rritje të zbatimit të ligjit”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit më tej tha se pas vendimit të fundit të BQK-së nuk beson që do të ketë masa të reja ndaj Kosovës.

“Ne i sigurojmë [bashkësinë ndërkombëtare] që kurrfarë efekti negativ në jetën e serbëve kjo nuk do të ketë. Problemi është tek paraja “kesh” që po iu vjen serbëve me thasë”.

“Disa njerëz pastaj po e lidhin popullatën serbe me këto, me shantazh, me kontroll, ky është problemi, e nuk është problemi që serbët do të mbesin pa pensione e paga. Nuk besoj që do të ketë masa të reja”, tha ai.

Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht shqetësimeve të ndërkombëtarëve për ndikimet që mund të ketë te komuniteti serb, pasi që kjo rregullore pamundëson kryerjen e pagesave me dinarë serbë.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje, përcjell Reporteri.net.

Në mbledhjen në OKB, të thirrur nga Serbia, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme, që hyri në fuqi më 1 shkurt, nuk ndalon dinarin serb, por bën që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.

Ai tha se Beogradi ka ngritur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij.

 

Themes by WordPress