Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, të kryer nga forcat pushtuese serbe. Në atë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq.
“Ata nuk kursyen as fëmijët, as gratë e as të moshuarit, nga mosha 3-muajshe deri në 94 vjeç. Nuk kursyen asnjë anëtar të familjes Deliu atë paradite të 26 shtatorit në vitin 1998 në pyjet afër fshatit ku jetonin, në Abri të Drenicës. Të vrarë mizorisht nga afërsia, kjo ngjarje tronditi edhe mediat botërore”, shkroi Konjufca.
Masakra e Abrisë, sipas tij, sjell në vëmendje fushatën ushtarake gjenocidale të aparatit shtetëror serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Kjo masakër, siç tha ai, është një nga emrat e gjenocidit, “një ndër thirrjet e ndërgjegjes sonë të përbashkët për drejtës”.Gjatë homazheve në Abri, Konjufca edhe një herë thekson se drejtësia akoma nuk është vendosur në vend, pa të akuzuar, pa të dënuar dhe pa përgjegjës për këtë krim makabër.
“Asnjëherë nuk duhet të pushojmë së thëni se drejtësia e munguar është premtim për padrejtësi dhe krim të ardhshëm të synuar dhe këtë shteti serb nuk ka reshtur së konfirmuari përmes akteve të shumtë deri më sot”, ka deklaruar Konjufca.
/TV Arbëria