Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Konjufca e Hoti në Hagë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Konjufca e Hoti në Hagë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sytë janë drejtuar tashmë nga Haga. Të mërkurën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, pritet të shpallet verdikti i shkallës së parë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Pas një procesi gjyqësor disavjeçar, vendimi i trupit gjykues pritet me interesim të madh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Hagë dhe më gjerë.

Nga Qeveria e Kosovës është konfirmuar se të pranishëm në Hagë ku do ta përcjellin seancën pritet të jenë zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca dhe Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka. Mësohet se Konjufca e Hoti pritet të jenë të pranishëm në galerinë e Dhomave të Specializuara prej ku do të përcjellin shpalljen e verdiktit.

Ndërkohë, në Hagë tashmë kanë mbërritur familjarë të të akuzuarve, por edhe qytetarë të shumtë nga Kosova dhe diaspora. Ata pritet të marrin pjesë nesër në tubimin e paralajmëruar në Hagë dhe në ditën kur do të shpallet vendimi.