Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident për Kosovën të Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se në këtë takim, përveç tjerash, u diskutua për marrëdhëniet miqësore, zhvillimet politike aktuale, si dhe u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha dhe sektorë të ndryshëm me interes të ndërsjellë.
Konjufca i vlerësoi të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur për forcimin e lidhjeve miqësore dhe avancimin e bashkëpunimit me Pakistanin, përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave parlamentare. Duke u shprehur mirënjohës ndaj shtetit pakistanez, Kryetari i Kuvendit po ashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes për anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare.
Ndërsa ambasadori Junaid, i cili shërben si ambasador rezident në Turqi, pasi e falënderoi kryeparlamentarin Konjufca për pritjen, konfirmoi mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit të Pakistanit për Republikën e Kosovës dhe shprehu përkushtimin për fuqizimin e raporteve mes të dyja shteteve. /TV Arbëria