Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje për Reporteri.net, ka konfirmuar të enjten mbrëma se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Kjo u konfirmua nga një zëdhënës i DASH-it derisa u theksua mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.
DASH-i po ashtu tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
Sipas DASH-it, shitja e këtyre armëve mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.