Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, refuzohet kërkesa për hedhje

Konfirmohet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, refuzohet kërkesa për hedhje

Çështja ndaj Rozeta Hajdarit do të shkojë në gjykim pavarësisht prej përpjekjeve të saj që të hidhej poshtë aktakuza e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në një aktvendim të nxjerrë të premten e javës së shkuar, më 13 mars, një trup gjykues i Departamentit Special të Gjykatës e refuzoi kërkesën e ish-ministres për hedhje të aktakuzës.

Ky trup gjykues i vlerësoi si të pabazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Paparaci e ka siguruar ekskluzivisht vendimin që lë në fuqi aktakuzën për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj ish-ministres së Tregtisë në Qeverinë Kurti II.

Sipas atkvendimit, aktakuza ka prova të mjaftueshme, nuk ka shkelje procedurale dhe është e bazuar ligjërisht.

Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Rezervave Shtetërore, një afere që i ka shkaktuar afër tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit.

Në të njëjtin rast, bashkë me Hajdarin akuzohen edhe tre të tjerë: dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.

Hajdari, Gara dhe Lipovica dyshohen të tre për të kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare.

Paparaci ka provuar të kontaktojë me Nazim Mehmetin, avokatin e njërit prej të të pandehurve, por ai ka qenë i paarritshëm përmes telefonit të martën.