Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Komunikimi i Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin, Çitaku: Ajo është thjeshtë altoparlanti, prapa të gjithave qëndron Kurti

Komunikimi i Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin, Çitaku: Ajo është thjeshtë altoparlanti, prapa të gjithave qëndron Kurti

Gjatë ditës së hënë janë publikuar disa komunikime në mes të Koordinatores së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi.

Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike, që Krasniqi e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.

Më vonë në komunikimet tjera, Mihali vendos se kur do të ketë reduktime të rrymës në Kosovë. Ajo e udhëzon Krasniqin që në ditë të caktuara të mos ketë reduktime.

Lidhur me publikimin e këtyre komunikimeve kanë reaguar nga Partia Demokratike e Kosovës. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Dejona Mihali nuk ka asnjë lloj peshe politike as relevance elektorale. Ajo është shprehur se pas tërë kësaj qëndron lideri i VV-së, Albin Kurti i cili i merr vendimet.

“Pashë besën, mos u merrni me Dejona Mihajlin.
Ajo nuk ka asnjë lloj peshe politike as relevance elektorale. Nuk ka as rol historik. Asnjë lloj roli apo relevance nuk e ka, përveç funksionit që ia ndanë regjisori i cirkut.

Nagipi nuk kish me folë kurrë me të, sikur ajo mos të ishte e veshur me pushtet nga lideri suprem.
Nuk vendosë Dejona kur ndalet rryma. Lideri i VV vendosë. Dejona është thjeshtë altoparlanti”, shkruan Çitaku.

Platforma ‘Signal’ që njihet si më vështirë e përgjueshme, ka qenë forma më e shfrytëzuar për komunikim ndërmjet koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.