Komuna e Shtimes do të ndajë nga 100 euro çdo muaj për shërbime shëndetësore, për fëmijët në familjet strehuese të kësaj komune.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu. Aliu ka thënë se është tejet i lumtur për këtë.
“Jam shumë i kënaqur që ka kaluar propozim vendimi në Kuvendin Komunal, ku familjet strehuese të Komunës sonë do t’i mbështesim me nga 100 euro për çdo muaj. Ka qenë jo vetëm obligim institucional e etik, por njëkohësisht edhe dëshirë e imja që përmes qeverisjes t’i ndihmojmë më shumë pikërisht këto familje fisnike dhe humane të cilat strehojnë fëmijë pa përkujdesje prindërore”, ka thënë Aliu.
Ndërsa ka thënë se kjo është një e arritur e cila përbënë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
“Andaj, jemi përpjekur fuqishëm që t’i krijojmë mundësitë buxhetore për ta realizuar një ndihmë të tillë. Me plot kuptim kjo është arritje e shënuar për ne dhe përbën hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për fëmijët pa përkujdesje prindërore, për çfarë ne jemi të angazhuar dhe nuk reshtim së ndaluri për t’u garantuar të gjithëve mirëqenie më të mire”, përfundoi Aliu.