Qeveria komunale e Dragashit ka marrë vendim për formimin e Shtabit emergjent si dhe të Komisionit komunal për vlerësimin e dëmëve të shkaktuara nga vërshimet e fundit. Ky vendim, sipas njoftimit të Komunës, është marrë në mbledhjen urgjente të Ekzekutivit, ku është diskutuar lidhur me masat e ndërmarra pas gjendjes së krijuar nga vërshimet.
Bazuar në njoftimin e Komunës, vlerësimi i dëmeve nga vërshimet prej komisionit përkatës do të bëhet për ekonomitë familjare, bizneset, sipërfaqet bujqësore dhe infrastrukturën publike.
Në këtë rrafsh i është bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pësuar dëme, që para se të fillojnë me sanimin e gjendjes, të bëjnë fotografi dhe video të cilat do të shërbejnë si dëshmi për tu prezantuar para Komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve.
Krahas kësaj, qeveria lokale ka bërë thirrje që bashkë me qytetarët dhe bizneset private të cilat kanë pajisje teknike dhe mjete motorike të vazhdohet sanimi i dëmeve në terren.
“Apelohet tek të gjithë qytetarët e fshatrave të prekur nga vërshimet, sidomos banorët e fshatit Kuk dhe ato vendbanime ku vërshimet kanë dëmtuar në masë të madhe rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, që të mos përdoret uji për pije (ose të vlohet uji në rast të përdorimit për pije), derisa organet kompetente të bëjnë analizat dhe të vlerësojnë nivelin e ndotjes së ujit”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë është theksuar se në amvisëritë ku uji ka depërtuar në dhoma apo bodrume dhe qytetarët nuk kanë mundësi që ta nxjerrin atëherë mund ta thirrin Shërbimin e Zjarrfikësve për ndihmë në këtë aspekt në numrin kontaktues 049 773 777.
Në takim krahas drejtuesve të pushtetit lokal, kanë marrë pjesë udhëheqësit e Shërbimit të Zjarrfikësve në Dragash, pastaj kryetari i Komisionit qendror për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera si dhe drejtues të KRU “Hidro-regjioni Jugor” në Prizren.