Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Komplot për të vrarë presidentin, arrestohen ushtarakët në Brazil

Komplot për të vrarë presidentin, arrestohen ushtarakët në Brazil

Policia në Brazil bën me dije se ka vënë në pranga 5 persona në lidhje me një komplot për të vrarë presidentin Luiz Inacio Lula da Silva pak javë përpara se ai të merrte zyrtarisht detyrën.

4 nga personat e arrestuar janë ushtarakë, ndërsa i pesti një oficer policie.

Të akuzuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin bërë gati planin për të ekzekutuar presidentin Lula dhe zëvendësin e tij Geraldo Alckmin në 15 dhjetor të 2022, vetëm 2 javë përpara ceremonisë së betimit.

Lula i fitoi zgjedhjet në tetor të vitit 2022 duke mundur presidentin Jair Bolsonaro, i cili asnjëherë nuk e pranoi humbjen. Një javë pasi Lula bëri betimin, mbështetësit e Bolsonaros mësynë kongresin, gjykatën e lartë dhe dëmtuan dhjetëra ndërtesa qeveritare.

Faqja braziliane e lajmeve G1 tha se ishte shqetësuese që katër nga të arrestuarit ishin anëtarë aktivë të ushtrisë dhe i pesti një pjesëtar në shërbim i forcës policore.

Agjencia e lajmeve AFP citoi një burim të policisë federale që thoshte se ushtarakët u arrestuan në Rio, ku po merrnin pjesë në operacionin e sigurisë për takimin e liderëve të G20 që po zhvillohet aktualisht në qytetin brazilian.

Sipas G1, katër ushtarët, të cilët ishin pjesë e forcave speciale, akuzohen se ishin pjesë e një organizate kriminale që komplotonte kundër Lulës.

Policia federale e Brazilit tha në një deklaratë se hetimet treguan se organizata kriminale përdori një nivel të lartë njohurish tekniko-ushtarake për të planifikuar, koordinuar dhe ekzekutuar veprime të paligjshme në muajt nëntor dhe dhjetor 2022.

Powered by WordPress