Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Kompania “Pastrimi” kërkon t’i shtrenjtojë faturat

Kompania “Pastrimi” kërkon t’i shtrenjtojë faturat

Kompania “Pastrimi”, ka bërë kërkesë ndaj Komunës së Prishtinës që të miratojë rritjen e faturës së mbeturinave.

Arbnora Ademi, zëdhënëse për media në këtë kompani, i tha Radio Kosovës se kjo kërkesë ka ardhur për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve e të produkteve të tjera. Mirëpo, ajo nuk dha detaje se sa pritet të rritet fatura.

“Kompania Pastrimi tash e sa kohë është duke bërë kërkese e thirrje te komunat ku ne kryejmë shërbime, për rritje të faturës. Kjo kërkesë vjen duke e ditur koston e lartë të derivateve e të çdo produkti që është rritur e në anën tjetër faturat e mbeturinave mbetet e njëjtë. Mirëpo nuk ka ende përgjigje zyrtare për rritje të faturës”, tha Ademi.

Sindikata e Punëtorëve të Pavarur të Kompanisë “Pastrimi” në një email dërguar kryetarit të Komunës, Përparim Rama, ka shfaqur problemet me të cilat është duke u përballur kjo kompani gjatë operimit. Ata kanë kërkuar ndryshim të vlerës së faturave për amvisëritë në territorin e Komunës së Prishtinës, nga 4.70€, në 7.50€.

“Shpenzimet e larta operative, gjendja financiare, efektet e inflacionit me të cilën jemi duke u përballur, na ka sjellë pranë kolapsit, andaj e vetmja shpresë për 890 familje jeni ju”, shkruan në emailin e sindikatës drejtuar Komunës së Prishtinës.

E drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, tha se “ende nuk kemi marrë vendim për ndryshim të çmimit”.

Ditë më parë nga komuna kanë bërë të ditur se shtrenjtimi i faturës se mbeturinave pritet të ndodhë për shkak se Deponia i ka rritur çmimet karshi Kompanisë “Pastrimi”.

/TV Arbëria

Themes by WordPress