Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kompania amerikane e çelikut mund t’i shitet një firme japoneze

Kompania amerikane e çelikut mund t’i shitet një firme japoneze

Përpara zgjedhjeve presidenciale, si Presidenti Biden ashtu edhe zoti Trump u shprehën kundër blerjes nga një kompani japoneze të firmës amerikane “US Steel”, dikur një ikonë e epokës industriale amerikane për prodhimin e çelikut. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, nga qyteti Braddock i Pensilvanisë, shitja e planifikuar prej 14 miliardë dollarësh ka të ngjarë të ndodhë me përfundimin e zgjedhjeve.

Gjatë vitit të kaluar, kompania amerikane e çelikut “US Steel” ka kërkuar miratimin e qeverisë amerikane për blerjen e saj nga firma japoneze “Nippon Steel”.

“Ky investim do të krijojë një efekt pozitiv në të gjithë rajonin, duke krijuar afro 5,000 vende pune dhe do të ketë një ndikim ekonomik prej 1 miliard dollarësh në pjesën jugperëndimore të Pensilvanisë”, thuhet në një reklamë nga kompania “US Steel”.

Nga 340, 000 punëtorë që firma “US Steel” kishte në kulmin e saj, tani ajo ka 15,000, shifra shqetësuese për qytetin Braddock, prodhues i çelikut që nga viti 1875. Zëri i Amerikës bisedoi me kryebashkiaken e qytetit, Delia Lennon-Winstead.

“Nuk është diçka e papritur për firmën US Steel”.

Furrat masive ishin pjesë e një fabrike të fuqishme që për 100 vjet prodhonte më shumë se 9000 tonë çelik në ditë. Për një kohë të gjatë, ajo ishte fabrika më e madhe e çelikut në botë dhe simbol i fuqisë industriale amerikane. Firma “US Steel” e mbyll këtë fabrikë në vitin 1986, duke zhvendosur prodhimin e çelikut jashtë Amerikës.

“Është për ardhur keq që e kanë shitur veten tek një vend dhe kompani e huaj”, thotë Senatori John Fetterman i cili përfaqëson Pensilvaninë, duke shprehur kundërshtimin ndaj propozimit për shitjen.

Demokrati Fetterman ka qenë kryebashkiak i qytetit Braddock, post që tani mbahet nga Delia Lennon-Winstead. Ajo e mbështet shitjen, duke argumentuar se fatet e qytetit Braddock dhe firmës “U.S. Steel” janë të ndërthurura.

“Firma është themeluar në Braddock dhe ka qenë burimi kryesor i qytetit për shumë vite. Ofron vende pune për qytetin dhe komunitetet përreth”, thotë kryebashkiakia.

Firma ka lënë të kuptohet se nëse anulohet marrëveshja e shitjes, mund të mbyllen disa pjesë të fabrikës dhe të shkurtohen vende pune.

Kontrolli i çelikut të Pensilvanisë nga kompanitë e huaja përbën shqetësim për ish anëtaren e këshillit të qarkut Alleghany, Amanda Green-Hawkins.

“Pjesëtarë të komunitetit kanë të njëjtat shqetësime. Çfarë nënkupton kjo për sigurinë kombëtare? Zyrtarët tanë të zgjedhur duhet t’i shqyrtojnë seriozisht këto pikëpyetje”.

Zyrtarët në Uashington që kundërshtojnë blerjen nga firma japoneze, po bëjnë lojëra politike, thotë Guy Wallar, i cili punon në një nga fabrikat e firmës “US Steel”.

“Do ta ruajnë emrin e firmës dhe të mbajnë këtu zyrat drejtuese. Shpresoj që kur të nënshkruhet shitja, të mbajmë përfitimet shëndetësore”.

Çështja është pjesë e debateve për banorët vendas, mes tyre edhe regjisori Tony Buba, babai i të cilit ishte saldator për dekada në një nga fabrikat e çelikut.

“Nëse firma japoneze e blen atë, fabrika do të funksionojë edhe për 20 vjet të tjera. Përfundimisht do të mbyllet”.

Gjatë fundit të shekullit të 20-të, Japonia u shfaq si rivale e Amerikës në fushën e prodhimit të çelikut. Mbijetesa e dy vendeve në shekullin 21 mund të varet nga bashkëpunimi i tyre përballë konkurrencës kineze e cila ka tre nga pesë kompanitë më të mëdha në botë të prodhimit të çelikut./VOA

Themes by WordPress