Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Komisioni për Buxhet miraton kërkesën e KQZ-së për mjete shtesë

Komisioni për Buxhet miraton kërkesën e KQZ-së për mjete shtesë

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve shtesë buxhetore për vitin 2024.

Shuma e kërkuar nga KQZ-ja është mbi 1.5 milionë euro dhe ka të bëjë me procesin e zgjedhjeve në qendrat komunale të numërimit.

Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, shpjegoi në detaje për kërkesën për buxhet shtesë. Tha se kërkesa ka të bëjë me blerjen e kamerave në secilin vendvotim dhe për blerjen e pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë.

“Në kuadër të transparencës KQZ ka paraparë të blejë kamera vëzhguese për secilin vendvotim, që i bjen rreth 2 mijë e 500 vendvotime për të blerë nga një kamerë, po ashtu edhe pajisjet tjera softuerike të cilat janë në shërbim të transparencës dhe për këtë janë rreth 1 milion e gjysmë euro të cilat i kemi në buxhet për vitin 2024 dhe të cilat do t’i zhvillojmë gjatë këtij viti. Janë të ndara pjesa kapitale dhe mallra dhe shërbime, sepse disa pjesë janë softuerike, disa janë pajisje që duhet blerë, por sidoqoftë janë 500 mijë euro për procesin e transparencës, janë edhe 750 mijë euro që do të blihen pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë, si dhe një milion euro janë për blerjen e kamerave për secilin vendvotim, që në total e kalojnë 1.5 milion euro vetëm për procesin e transparencës në qendrat komunale të numërimit për gjithë vendin”, tha Ahmeti.

Kryetari KQZ-së, Kreshnik Radoniqi derisa ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka thënë se buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milionë e 24 mijë e 134 euro, ndërsa ka theksuar se prej kësaj shumë është shpenzuar 93.2 për qind.

“Me ligjin e buxhetit për vitin 2022 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, KQZ është akorduar një fond prej mbi 5 milion e 913 mijë me qëllim të funksionimit të institucionit dhe për të përmbushur detyrimet ligjore. Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në pjesën veriore të vendit, si dhe pas vendimit të Qeverisë, buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milion e 24 mijë e 134 euro. Pjesa më e madhe e këtij buxheti, shuma prej 4 milion e 200 mijë euro i takon kategorisë së subvencioneve dhe transferove, Në përgjithësi buxheti është shpenzuar 93.2 për qind, apo në shumën prej 5 milion e 617 mijë euro. Edhe një raport tjetër e kemi dorëzuar ku e kemi pasqyruar shpenzimin e buxhetit për vitin 2022, kjo ka qenë me raportin vjetor të punës së KQZ-së, i cili është dërguar Kuvendit të Kosovës vitin e kaluar”, tha Radoniqi.

Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica ka thënë se është zhgënjyese që gjatë raportit llogaritë e arketueshme nuk janë paraqitur siç duhet, për çfarë ka kërkuar të eliminohen këto probleme në të ardhmen.

“Raporti i auditimit të cilin e kemi pranuar po paraqet që nuk është gjendje e mirë e mbajtjes së llogarive në këtë institucion. Raporti është i kualifikuar, që është për më tepër zhgënjyese që mos të paraqitet si duhet llogarite e arketueshme. Kuptoj që keni pas mundësi të keni ndonjë problem me pasurinë për regjistrimin e stoqeve, por që me pas probleme me llogaritë arketueshme nuk po e shoh të arsyeshme”, tha Korenica.

Ndërsa, për këtë Radoniqi ka thënë se e kanë trajtuar këtë çështje, porse ka të bëjë me disa gjoba që janë shqiptuar disa subjekteve politike që nuk ekzistojnë më dhe nuk kanë subjektivitet, derisa shtoi se nuk ka asnjë mundësi KQZ t’i inkasojë këto mjete.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, pati kritika për raportin e vitit 2022, përderisa tha se jemi në vitin 2024.

“Ne jemi duke e trajtuar një raport të vitit 2022 dhe jemi në vitin 2024, në vend se të mendojmë për raportimin e vitit 2023, ne ende para dy viteve merremi me raportet e institucioneve të pavarura, nuk është vetëm ky komision. Ne e kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës një rregullore dhe goxha jemi krenuar që kemi bërë një ndryshim, dhe kemi sjellë një burokraci më të tepruar dhe një barrë më ë madhe sa i përket llogaridhënies së institucioneve dhe një vonesë, ku çdo vonesë është edhe në mundësinë e përmirësimit të gjendjes. Është mirë që të bëjmë një kërkesë kryesisë së Kuvendit që këtë rregullore të ndryshojmë në sensin që mos të ketë burokraci në miratimin kohor të rregullores dhe llogaridhënia të jetë më e shpejtë”, tha Lushtaku.

Themes by WordPress