Komisioni Evropian ka komentuar tërheqjen graduale të trupave të KFOR-it nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, për çka ka thënë se pret koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës për hapjen e urës kryesore.
Zëdhënësja e komisionit Evropian, Anita Hipper, në një konferencë për medie, tha se qëndrimi i BE-së për urën mbetet i qartë.
“Qëndrimi ynë për urën ka qenë gjithmonë i qartë: ajo duhet t’u shërbejë të gjitha komuniteteve dhe t’i lidhë. Kërkojmë koordinim efektiv dhe konsultim të mirëfilltë ndërmjet komunës dhe institucioneve qendrore. Po ashtu, Policia e Kosovës duhet të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, ka thënë Hipper.
Sipas Hipper, BE-ja ka shpenzuar me miliona euro për rivitalizimin e kësaj ure që lidh dy anët e Mitrovicës.