Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Komisioni Disiplinor e refuzon suspendimin nga Albulena Haxhiu të noterit Ilir Mulhaxha

Komisioni Disiplinor e refuzon suspendimin nga Albulena Haxhiu të noterit Ilir Mulhaxha

Komisioni Disiplinor për përmbaruesit privatë, e ka refuzuar si të pabazuar raportin për fillimin e procedurës disiplinore nga Ministria e Drejtësisë-Departamenti për Profesione të Lira dhe propozimin e Telekomit të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha t’i shqiptohet masë disiplinore, shkarkim nga detyra.

Në vendimin e Komisionit Disiplinor, në përbërje nga Manushaqe Karaçi si kryesuese, Adnan Konushevci dhe Rushit Hoxha si anëtarë, thuhet se përmbaruesi Mulhaxha, nuk është përgjegjës për shkeljet të cilat i pretendon Telekomi.

Përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, ishte në një proces të përmbarimin në mes të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon.

Telekomi në vazhdimësi ka pasur ankesa se përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha, po vepron kundërligjshëm në ekzekutimin e urdhrit përmbarimor dhe se po bënte në vazhdimësi presione në Telekomin e Kosovës, ndërsa edhe vetë përmbaruesi kishte ankesa për zyrtarët e Telekomit, me pretendimin se po pengohet ta kryejë punën e tij.

Më 22 dhjetor 2022, ishte mbajtur seanca dëgjimore në këtë procedurë disiplinore, ku palët paraqitën pretendimet e tyre.

Ndryshe, pas propozimit të inicimit të procedurës disiplinore më 29 nëntor 2022 nga ana e Telekomit të Kosovës, në Departamentin për Profesione të Lira, më 6 dhjetor 2022, Ministria e Drejtësisë, kishte pezulluar nga puna përmbaruesin Mulhaxha. Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhej se pezullimi ishte bërë më qëllimin që procedura disiplinore mos të pengohet. Kurse, nënshkruesi i këtij vendimi, zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu ishte shprehur se me këtë vendim ka ndaluar ‘plaçkën e Telekomit’ për të pasuruar orkestruesit e tenderëve, duke ndaluar kështu edhe një përmbarim mbi 6 milionë euro, sipas tij të llogaritur gabimisht.

Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, kishe shtyrë ekzekutimin e këtij vendimi të MD-së.

Kurse, emisioni “Betimi për Drejtësi”, kishte trajtuar këtë temë përmes hulumtimit “Lufta e Ministrisë së Drejtësisë me përmbaruesit privatë”, ku tregohet historiku në mes të Telekomit dhe ish kompanisë “Dardafon”.

Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës dhe kompania “Dardafon” që ka operuar me emrin tregtar “Z-Mobile”, kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009, me të cilën “Z-Mobile” bëhej operator virtual i Telekomit.

Zanafilla e problemit mes Telekomit dhe “Z-Mobile”, kishte filluar kur “Z-Mobile”, po kërkonte numeracion shtesë, rreth 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim si dhe shërbime 3G dhe 4G.

Përmbarimi ishte përcjellë me vendime në të gjitha shkallët e gjykatave si dhe shumë polemika mes kreditorit dhe debitorit dhe vetë përmbaruesit privat në këtë mes.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më 10 janar 2023, njoftoi se Ilir Mulhaxha është suspenduar nga ushtrimi i profesionit të përmbaruesit privat deri në një vendim të Komisionit Disiplinor, pas kërkesë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për inicim të procedurës disiplinore ndaj tij. /BetimipërDrejtësi

Themes by WordPress