Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Komisionerët që ngulfasin demokracinë

Komisionerët që ngulfasin demokracinë

Shkruan: Agron Hoti 
Tashmë edhe fëmijët e dinë që pavarësisht “kokrrave” (votave) të qytetarëve, deputet bëhesh, vetëm nëse s’t’i masakrojnë komisionerët “kokrrat” gjatë procesit të numërimit të votave.
Prandaj, partitë janë mbyllur ndaj meritokracisë, sepse janë të vetëdijshme që çfarëdo kandidati i pavarur nuk mund të futet në Kuvend pa u “(ri)xharrahosur” nga komisionerët, që tërë kohën rrinë me gërshërë në dorë për të nxjerrë rezultate sa më të mira për patronët politikë të tyre, nga të cilët në këmbim “(ri)xharrahosjeje” currin (marrin) para.
Prandaj, nga viti 1999 deri në 2025 nuk kemi pasur asnjëherë deputetë që kanë fituar vota si kandidatë të pavarur. Duhet përmendur faktin që masakra e votave (“(ri)xharrahosja”) ndodh kryesisht brenda për brenda partive siç po konfirmohet që sa e sa herë me krejt pak hetime.
Demokracia e vërtetë do të ndodh vetëm atëherë, kur në Kuvendin e Kosovës do të arrijë të futet deputeti i parë si kandidat e pavarur. E vetëm pasi të ndodhë kjo, partitë do ta kuptojnë rrezikun e ngeljes pa asnjë deputet ndaj dhe do të hapen ndaj meritokracisë.
Derisa të ndodhë kjo, komisionerët do të vazhdojnë të mbajnë gërshërë në dorë duke u marrë me veprime “(ri)xharraheske” dhe duke ua servuar ‘rezultatet’ në tavolinë patronëve politikë për t’i shijuar ato më pas për maksimumi katër vite.
Se kur do ta kemi deputetin e parë si kandidat të pavarur, nuk mund ta dijë askush, por një gjë dihet: janë disa ‘alamet’ njerëz që në opinion shiten si të mençur e të zotë, por që në realitet janë aq të panjerëz e të ligë sa të ikën truri. Ndaj, derisa të pastrohet politika dhe shoqëria nga këta njerëz, qytetarët tanë do të vazhdojnë ta hanë sapunin për samun. Të tillë do ta kemi edhe demokracinë.
/TV Arbëria