Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur sot në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë presidentin e Republikës së Sllovakisë, Shkëlqesinë e Tij Peter Pellegrini.
Presidenti Pellegrini ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë, Sh.E. Robert Kališák, ambasadori i Republikës së Sllovakisë në Beograd, Sh.E. Michal Pavúk, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Sllovake, gjeneral Daniel Zmeko.
Gjatë takimit, gjeneralmajor Ulutaş i njoftoi mysafirët për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe për përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ai theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes në çdo kohë.
Komandanti i KFOR-it vlerësoi gjithashtu kontributin e Republikës së Sllovakisë në kuadër të misionit të KFOR-it, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për stabilitetin rajonal.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.