Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Koeficienti prej 105 euro i pa pranueshëm edhe për zjarrfikësit

Koeficienti prej 105 euro i pa pranueshëm edhe për zjarrfikësit

Për prezantimin e vlerës së koeficientit në vlerë prej 105 euro nga qeveria, ka reaguar edhe Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës. Sipas kësaj sindikate një koeficient me vlerë të tillë është i pa pranueshëm.

Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka në një intervistë thekson se vlera e koeficientit i ka zhgënjyer të gjithë zjarrfikësit.

Beka: Kjo vlerë e koeficientit i ka zhgënjyer gjithë të punësuarit

“Kjo vlerë e koeficientit i ka zhgënjyer të gjithë të punësuarit, askush nuk e ka pritur këtë vlerë kaq të ulët duke pas parasysh se jemi në një krizë ku kemi inflacion dyshifror dhe kostoja e jetesës është mjaftë e vështirësuar. Pra është e vështirë të ja dalësh në fund të muajit me këtë pagë. Zjarrfikësit gjatë gjithë kohës kanë qenë të diskriminuar në vazhdimësi. Dhe për herë të parë që institucionet e vendit kanë bërë diçka, ka qenë kur jemi nivelizuar me shërbimet tjera emergjente ose me kategoritë tjera me ligjin e pagave në vitin 2018, që pati shkuar në Kushtetuese. Në atë kohë ishte e pranueshme për ne, ishte vlera 2.2×238, ka dalë rreth 525, sa është tash, mirëpo, në këtë kohë marrë parasysh inflacionin, është mjaftë zhgënjyese”, theksoi Beka.

Beka tha se janë ndër kategoritë më të diskriminuara në raport me shërbimet tjera emergjente.

Beka: Ne jemi ndër kategoritë më të ulëta në raport me shërbimet tjera emergjente

“Personalisht kam marrë nga gjithë kryetarët e shoqatave në nivel vendi thirrje telefonike, të cilat kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, pasi jam i thirrur për t’i përfaqësuar kërkesat e tyre, janë jashtëzakonisht të indinjuar. Ne jemi ndër kategoritë më të ulëta në raport me shërbimet tjera emergjente”, tha Beka.

Mes tjerash, Beka tha se pritshmëria për koeficientin ka qenë më e madhe, derisa ka kërkuar edhe një analizë të vlerës së koeficientit.

Beka: Ne së paku kemi prit që do të jetë 120, duke u bazuar në pagën minimale që ka qenë

“Ne së paku kemi prit që do të jetë 120, duke u bazuar në pagën minimale që ka qenë, që koeficienti më i ulët është dy, duke llogaritur ashtu, pritjet kanë qenë të jetë 120 dhe ky është zhgënjim. Duhet analizuar sepse kjo nuk qon askund”, tha mes tjerash Beka.

Vlera e koeficientit përmes të cilit llogariten pagat e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik është caktuar të jetë 105 euro për vitin 2023.

Sipas vlerës së caktuar të koeficientit, Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve që ka koeficient 8 dhe vlera e pagës së tij do të jetë 840 euro, zëvendësi i tij me koeficient 7.2 do të ketë pagë 756 euro.

Komandanti i Batalionit me koeficient 6.5 do të ketë vlerën e pagës 682 euro, zëvendësi i tij me koeficient 6.3 do të ketë pagën 661 euro e 50 cent.

Udhëheqësi i togut të zjarrfikësve ka koeficientin 6 ndërsa paga e tij do të jetë 630 euro, zëvendësi i tij me koeficient 5.9 do të ketë pagën 619 euro.

Udhëheqësi i skuadrës me koeficient 5.7 vlera e të njëjtit do të jetë 598 euro e 50 cent, zëvendësi i tij me koeficient 5.5 do të jetë 577.5 euro. /TV Arbëria

 

Themes by WordPress