Avokati Arianit Koci njoftoi se e ka marrë përsipër përfaqësimin juridik të Aulona Memetit, qytetares e cila publikoi një shkrim për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe tha një ditë më pas se pas postimit të saj ka ndier presion nga zyrtarë të institucionit.
“Si nënë e një djali dyvjeçar, Aulona Memeti ka kërkuar që fëmija i saj të trajtohej me dinjitet dhe në kushte elementare në Pediatrinë e QKUK-së. Sipas deklarimeve të saj, kjo nuk ka ndodhur. Për këtë arsye, vendosi ta ndajë publikisht përvojën e saj. Me reagimin janë bërë publike edhe fotografi. Ato paraqesin gjendjen e ambienteve në momentin kur djali i saj po trajtohej”, shkroi Koci në një postim në Facebook.
Shëndetësia publike në Kosovë ka vite që është objekt shqetësimi serioz, thotë avokati. “Ky rast nuk mund të shihet i shkëputur nga ai realitet”, shton ai.
“Kjo nuk do të thotë se përgjegjësia është kolektive. Përgjegjësia është gjithmonë individuale dhe duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve. Megjithatë, kur probleme të ngjashme përsëriten ndër vite, nuk mund të anashkalohet as përgjegjësia institucionale dhe strukturore”, shkroi Koci.
Si përfaqësues juridik i Aulona Memetit, Koci tha se do të angazhohet që të drejtat e klientes të tij të mbrohen plotësisht dhe që “ndaj saj të mos ushtrohet asnjë formë presioni”.