Me nisjen e fushatës për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, Koalicioni për Kosovën Fituese ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekazin legjendar.
Kandidati për kryeministër, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se “Prekazi është betimi ynë për shtet dhe atdhe”, derisa shtoi se prej aty, me votën e qytetarëve do të vazhdojnë për Kosovën fituese.
Haradinaj bashkë me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe kandidatë të tjerë për deputetë vizituan varrezat e Jasharëve.
Pas homazheve, Limaj u shpreh se filluan fushatën në mënyrë simbolike nga Prekazi prej nga ku burojnë themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës.
Për legjislativin e ri garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja. Numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868.