Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës (KOAK) ka reaguar lidhur me gjetjet e Prokurorisë Speciale për rastin e spiunazhit të BIA-s dhe bashkëpunimin e Fatmir Shehollit me strukturat përkatëse.
Në reagimin e saj, KOAK shpreh “shqetësim të thellë” dhe kërkon nga organet e shtetit dhe institucionet e Republikës së Kosovës që të hetojnë plotësisht edhe rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe lidhjet e saj të mundshme me këtë rrjet.
KOAK pretendon se Kisha Ortodokse Serbe ka shkelur vazhdimisht ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, veçanërisht në raport me trashëgiminë kulturore, duke përmendur disa objekte dhe lokalitete arkeologjike.
Sipas KOAK-ut, këto veprime janë kryer “nën hundën e shtetit”, pa masa të mjaftueshme ndaj tejkalimit të autorizimeve dhe ligjeve.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës, nën drejtimin e Kryepeshkopit Nikolla, thotë se është e zotuar të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Në reagim, KOAK shprehet gjithashtu se trashëgimia mesjetare ortodokse e Kosovës duhet të kthehet nën menaxhimin që kjo kishë e konsideron të ligjshëm, duke e lidhur këtë çështje me marrëveshjet e dala nga bisedimet e Vjenës dhe procesin e pavarësisë së Kosovës.
Një pjesë e reagimit i kushtohet edhe pretendimeve për përpjekje të Serbisë për radikalizimin e shqiptarëve të besimit islam. KOAK thekson se shqiptarët, pavarësisht përkatësisë fetare, kanë identitet, gjuhë dhe kulturë të përbashkët.
“Ne shqiptarët kemi identitetin tonë, gjuhën, kulturën dhe gjakun e përbashkët”, thuhet në reagim.
Në fund, KOAK u bën thirrje organeve të ndjekjes dhe gjykatave të Kosovës që të hetojnë dhe ndëshkojnë të gjithë personat që, sipas saj, janë të përfshirë në përçarje, agjentura dhe projekte serbe.
Në këtë kontekst, KOAK kërkon që të ndëshkohet maksimalisht edhe Fatmir Sheholli.
“Rroftë populli i Kosovës! Rroftë populli shqiptar! Të bekuara qofshin të gjitha institucionet e Kosovës!”, përfundon reagimi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës.