Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti: Lista Serbe po mban takime në Rashkë, atje ku u dërguan në varreza masive të vrarët nga Kosova

Kurti: Lista Serbe po mban takime në Rashkë, atje ku u dërguan në varreza masive të vrarët nga Kosova

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët jo vetëm që u vranë, por kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive.

Ai tha se viktimat e Çikatovës së Vjetër u dërguan në varrezë masive në Rashkë të Serbisë, sipas tij atje ku krerët shtetërore të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politik të Listës Serbe.

Ai edhe një herë i ka bërë thirrje Prokurorisë që të jetë sa më shumë aktive, duke shtuar se është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët.

“Para 24 vjetëve, pra më 17 prill të viti 1999 këtu në Çikatovë të vjetër të Drenicës janë vrarë 28 civilë të paarmatosur e të pambrojtur nga forcat e Serbisë, të regjimit fashist të Millosheviçit, i cili në pranverën e vitit 1999 kreu gjenocid kundër popullit shqiptar në Kosovë. Jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në 5 varreza masive gjithsej, mbi 950 shqiptarë. Njëra prej atyre varrezave është edhe varreza në Rudnicë të Rashkës, ku në fakt janë dërguar edhe të vrarët e Çikatovës së Vjetër. Pra edhe ata që u vranë në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës, pra në Rashkë atje ku krerët shtetërore të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politik të Listës Serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe drejtues të strukturave paralele në Kosovë”.

“Me datën 30 maj të vitit 2019 pra së shpejti bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës së Kosovës është amandamentuar, është ndryshuar është plotësuar Kodi i Procedurës Penale, është mundësuar që kriminelët serbë për krimet që i kanë kryer në Kosovë të gjykohen edhe në mungesë. Pra ndjekja e tyre, akuzimi, gjyqësia dhe ndëshkimi janë të mundshme edhe në mungesë për shkak se më datën 30 maj të vitit 2019 Kuvendi i Republikës e ka mundësuar një gjë të tillë duke kaluar në lexim të dytë plotësim-ndryshimin e kodit të procedurës penale”.

“Andaj ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv sepse është koha e fundit që të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne së pari nuk e bëjmë një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar që të sjellim drejtësi për ata që e derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën ne e gëzojmë të gjithë ne sot”, tha ai.

/TV Arbëria

LEXO EDHE:

Kurti nga Pokleku kërkon dënimin në mungesë për krimet serbe: Duhet të ketë drejtësi për viktimat

Powered by WordPress