Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kritika e “papritur” e bashkësisë ndërkombëtare për manipulimin e zgjedhjeve në Serbi

Kritika e “papritur” e bashkësisë ndërkombëtare për manipulimin e zgjedhjeve në Serbi

Se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi nuk i ka fituar zgjedhjet në mënyrë demokratike kjo nuk është hera e parë. Regjimi i tij thuajse kishte vendosur kontroll të plotë mbi shoqërinë serbe. Pjesa më e madhe e mediave dhe shoqërisë civile ishin më shumë mjete propagandistike partisë në pushtet, se sa në shërbim të demokracisë.

Analistë të ndryshëm kanë pohuar në vazhdimësi se ky regjim për nga sundimi i brendshëm ishte shumë më pak i sfiduar se sa edhe ai i Milosheviqit. Sidoqoftë, për dallim nga proceset e deritanishme zgjedhore ku bashkësia ndërkombëtare nuk i kishte kushtuar shumë vëmendje mungesës së legjitimitetit demokratik , kësaj here po duket të jetë më e zëshme në denoncimin e manipulimeve të procesit të fundit zgjedhor.

Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Serbisë që të hetojë parregullsitë e zgjedhjeve. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar, se “Pretendimet për parregullsi të raportuara nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve zgjedhorë, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, janë të papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë”.

Kështu, sipas këtij zyrtari amerikan Uashingtoni është duke shqyrtuar gjetjet preliminare të misionit vëzhgues të OSBE-së lidhur me zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore. Ai ka deklaurar se “jemi në dijeni se [nga OSBE-ja] deklaruan që zgjedhjet e 17 dhjetorit u ofruan votuesve mundësi, alternativë politike. Por, ata gjithashtu arritën në përfundimin se zgjedhjet ishin të dëmtuara nga mungesa të shumta procedurale, trysnia ndaj punonjësve publikë dhe keqpërdorimi i burimeve publike dhe se këta faktorë, krahas me përparësitë që i gëzon partia në pushtet, krijojnë kushte të padrejta”.

Po ashtu, edhe Gjermania nëpërmjet një reagimi nga ministria e Punëve të Jashtme “ka thënë se parregullsitë në zgjedhjet në Serbi, të raportuara nga misionet vëzhguese ndërkombëtare, janë “të papranueshme”, për një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Serbia ka votuar, por Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) kanë raportuar për abuzime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave”.

Kurse, Bashkimi Evropian me anë të një deklarate nëpërmjet shefit të diplomacisë së BE-së dhe komisionarit për Zgjerim për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se i marrim parasysh gjetjet preliminare dhe konkluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për zgjedhjet parlamentare serbe.

Në dritë të këtyre gjetjeve, pohuan ata se “me shqetësim ne vijmë në përfundim se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”. Ndër të tjera dy zyrtarët evropianë pohuan, se në “mesin e parregullsive gjatë zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, përfshihen edhe ato të raportuara në kryeqytetin serb, Beograd dhe komuna të tjera”.

Prandaj, këto reagime jo të zakonshme nga komunitetit ndërkombëtar në drejtim të Serbisë, kanë shtruar pyetjen se a mund të jenë edhe si shenjë e ndryshimit të paradigmës diplomatike ndaj regjimit të A.Vuçiqit.

Deri më tani siç dihet, bashkësia ndërkombëtare ka qenë tolerante, ndaj abuzimeve të pushtetit të tij. Demokratizmi i brendshëm, liria e mediave dhe pavarësia e gjyqësorit ishin tema terciare në raport me projektimin për rolin e tij si faktor i stabilitetit rajonal. Mirëpo, e vërteta është se sa më shumë që ishte mirëkuptuar nga vendet demokratike stili i tij autokratik i qeverisjes, aq më shumë po shtoheshin apetitet e tij subversive për minimin e paqes, sigurisë dhe fqinjësisë së mirë. Sulmi mbi Kosovën me 24 shtator përbën vetëm njërin nga aktet më brutale të doktrinës së kaosit.

Prandaj, me presionin e filluar ndaj manipulimeve të fundit të procesit zgjedhor, duket sikur bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar gabimin që e ka bërë ndër vite. Se nga ushqimi dhe tolerimi i liderëve autoritarë nuk mund të këtë përfitime për paqen dhe demokracinë, fqinjësinë, integrimin dhe stabilitetin e rajonal.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress