Mbyllet strehimorja e vetme për fëmijë si masë kundër dhunës në familje.
Ky veprim është ndërmarrë si pasojë e mungesës së buxhetit, pohojnë drejtuesit e kësaj strehimoreje.
Ndërkaq nga Ministria e Drejtësisë në një përgjigje me shkrim për TV Arbëria, kanë thënë se pavarësisht fondit emergjent të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në vlerë prej 22,500 euro dhe përpjekjeve të shumta nga MD, Strehimorja “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve”, me 9 shkurt të vitit 2022 kishte mbyllur të gjitha shërbimet.
MD kanë shprehur keqardhje duke thënë se ky vendim i tillë është i pa argumentuar dhe i palogjikshëm i menaxhmentit të kësaj strehimoreje, dhe sipas tyre arsyeja e vërtetë e mbylljes së kësaj strehimoreje është si rezultat i dështimit të menaxhmentit të saj, gjë në të cilën institucionet e shtetit nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjnë.
“Nga të dhënat që disponon Departamenti për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, OJQ-në “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve” – Kosovë, ndër vite ka pasur mbështetje financiare si në vijim”.
Mbështetja financiare në vitin 2015 ka qenë, 14,000.00, në 2016 26,905.00, 2017 35,000.00 2018 25,000.00, 2019 35,000.00 2020 55,000.00 2021 48,000.00, 2022 45,000.00 dhe në vitin 2023 97,500. 00 Euro.
Pra nga 75,000.00 nga subvencionet e Ministrisë së Drejtësisë dhe 22,500 nga Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
”Asnjëherë me parë në asnjë legjislaturë të mëhershme, shërbimet sociale dhe familjare nuk kanë pasur vëmendje dhe mbështetje më të madhe financiare, se sa në këtë legjislaturë”.
Në ndërkohë Ministria e Drejtësisë thotë se në kudër të kompetencave të saj ligjore, është duke parë alternativa të tjera për shërbime të cilat janë të nevojshme për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj këtyre fëmijëve.
Megjithatë sipas tyre alarmante duket te jetë situata e tanishme në pikepamje të mungesës se shërbimeve për fëmijët, të cilët vet i mori shteti nën përkujdesje si pasojë e dhunës në familje.
Palët vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën me arsyetime te ndryshme por pyetja legjitime e cila aktualisht nuk ka përgjigje konkrete është se çfarë do të ndodhë me këta fëmijë fatkeq.
/TV Arbëria