Një shkollë modeste në periferi të Sidneit, Australi, ka triumfuar ndaj konkurrentëve të fuqishëm si qiellgërvishtës, muze dhe terminale aeroportesh, duke fituar titullin prestigjioz të Ndërtesës së Vitit 2024 në Botë. Shkolla Publike Darlington, e vendosur në lagjen Chippendale të Sidneit, mposhti mbi 220 dizajne të tjera të përzgjedhura, duke fituar çmimin në Festivalin Botëror të Arkitekturës që u zhvillua në Singapor të premten.
Projekti, i hapur vitin e kaluar, përmban një ndërtesë moderne prej tullash, me një çati të veçantë të quajtur “sawtooth”, të kombinuar me hapësira të gjelbëruara në natyrë, përfshirë një fushë të madhe basketbolli dhe një kopsht. Panele të metalta të lakuara rrethojnë tarracat e hapura, duke lejuar dritën natyrale të depërtojë dhe duke ruajtur privatësinë e nxënësve.
Shkolla ka një histori të gjatë në këtë zonë të Sidneit, megjithëse ndërtesa e vjetër nga vitet 1970 nuk ishte më funksionale. Studioja e dizajnit FJC Studio, me bazë në Sidnei, e cila projektoi shkollën, deklaroi se ndërtesa e re “transformoi rrënjësisht” ambientet për të ofruar mjedise bashkëkohore mësimore, duke ruajtur “shpirtin” e kampusit origjinal.
Shkolla e re përfshin parashkollorë, kopsht dhe arsimin fillor, duke strehuar më shumë se 500 nxënës. Procesi i ndërtimit me dy faza bëri të mundur që mësimi të vazhdonte gjatë ndërtimit. Studioja theksoi se Shkolla Publike Darlington ka “lidhje të forta me popullsinë aborigjene,” duke ruajtur këtë trashëgimi kulturore përmes artit indigjen të vendosur në ambientet e shkollës, si dhe në riprodhimin e muraleve aborigjene nga shkolla e vjetër në ndërtesën e re.
Pas fitores, Alessandro Rossi nga FJC Studio deklaroi: “Është një ndjenjë përulësie të fitosh përkundrejt projekteve kaq madhore. Fituesit e vërtetë janë fëmijët që do të kalojnë kohë në këtë ambient pasurues për vite me radhë”.
Kjo është hera e dytë që një ndërtesë arsimore fiton çmimin, pasi vitin e kaluar e mori një shkollë në Kinë. Sidnei ka fituar për herë të dytë në tre vitet e fundit, pas triumfit të Quay Quarter Tower në 2022. /A2cnn/