Sinodi i Shenjtë i Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, gjatë një mbledhjeje më 12 shtator mbështeti Kishën Ortodokse Ukrainase, e cila u ndalua në gusht të këtij viti nga Parlamenti i Ukrainës.
Kjo çështje u diskutua në takimin e rregullt të Sinodit, kur edhe disa çështje të tjera të lidhura me kishën u trajtuan, sipas njoftimit të lëshuar nga Kisha.
“Sinodi i kushtoi vëmendje të veçantë situatës me Kishën simotër Ortodokse Ukrainase, e cila administrativisht u shpërbë nga Parlamenti ukrainas përmes projektligjit 8371. Kështu, miliona besimtarë, që e kanë ndjekur atë kishë, po privohen nga e drejta themelore e përkatësisë fetare, besimit dhe kryerjen e shërbesave fetare”, u tha në njoftimin e Kishës Ortodokse Maqedonase.
Kisha maqedonase tha po ashtu se “duke dëshmuar të vërtetën ungjillore, i shprehim mbështetje Kishës Ortodokse Ukrainase, mitropolitit të saj të Kievit dhe mbarë Ukrainës, zotit Onufrius, vëllezërve tanë peshkopë duke u lutur se Zoti t’u japë forcën e duhur për të kapërcyer këto sprova”.
Më 24 gusht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nënshkroi në ligj ndalimin e kishave ortodokse në Ukrainë, të lidhura me Rusinë, pasi paraprakisht projektligji ishte miratuar nga Parlamenti.