Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës reagon ndaj Dioqezës së Rashkës-Prizrenit: Trashëgimia e Kosovës nuk është pronë e Beogradit

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës reagon ndaj Dioqezës së Rashkës-Prizrenit: Trashëgimia e Kosovës nuk është pronë e Beogradit

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës ka reaguar ndaj njoftimit të Dioqezës së Rashkës-Prizrenit lidhur me Projektligjin për Inspektoratin Qendror për Trashëgiminë Kulturore, duke e cilësuar atë si përpjekje për ta paraqitur trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës si pronë ekskluzive të një strukture kishtare që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Në reagimin e saj, Kisha thekson se trashëgimia kulturore e Kosovës nuk është pronë e Beogradit apo e ndonjë dioqeze që, sipas saj, u shërben agjendave politike, por i përket historisë së përbashkët të vendit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë që jetojnë në Kosovë.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës ka shprehur mbështetje të plotë për themelimin e Inspektoratit Qendror për Trashëgiminë Kulturore, duke argumentuar se ky mekanizëm shtetëror do të mundësojë mbikëqyrje profesionale dhe mbrojtje të objekteve kulturore, përfshirë kishat dhe manastiret.

Sipas reagimit, pretendimet se projektligji cenon të drejtat e Kishës janë të pabazuara, pasi ai nuk ndryshon pronësinë e objekteve fetare dhe as nuk kufizon ushtrimin e besimit, por përcakton rregulla të barabarta për të gjithë.

Po ashtu, Kisha ka kundërshtuar përdorimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura Speciale dhe të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim si mekanizma vetoje ndaj institucioneve të Kosovës, duke theksuar se shteti ka të drejtë dhe detyrim ta mbrojë trashëgiminë e vet përmes institucioneve të tij.

Në fund, Kisha ka ftuar besimtarët ortodoksë që të mos bien pre e asaj që e quan propagandë të frikës, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet përkatëse.

“Trashëgimia e Kosovës mbrohet në Kosovë, nga Kosova, për Kosovën”, thuhet në përfundim të reagimit.