Kina tha se ka testuar një raketë balistike ndërkontinentale më 25 shtator. Raketa, që u gjuajt në Oqeanin Paqësor, paraqet testimin e parë të këtij lloji që Kina ka kryer në dekada.
Lëshimi i kësaj rakete nxiti kundërshtimin e shteteve të tjera në rajon, teksa Japonia tha se Kina nuk e kishte njoftuar paraprakisht për këtë testim, duke shprehur “shqetësim të thellë” për grumbullimin ushtarak të Pekinit.
Pekini ka intensifikuar zhvillimin e tij bërthamor dhe ka rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes viteve të fundit. Tetorin e kaluar, Pentagoni paralajmëroi se Kina po zhvillon arsenalin e saj bërthamor më shpejt sesa kishte parashikuar SHBA-ja.
Kina ka më shumë se 500 koka operacionale bërthamore që nga maji i vitit 2023 dhe me gjasë do të ketë mbi 1.000 të tilla deri më 2030, tha SHBA-ja.
Forcat raketore të ushtrisë kineze “lëshuan një raketë balistike ndërkontinentale… që kishte një kokë të rreme bërthamore dhe raketa u gjuajt në Oqeanin Paqësor në orën 08:44 më 25 shtator dhe raketa ra në zonën detare që ishte parashikuar”, tha Ministria e Mbrojtjes e Kinës.
Kjo ministri e cilësoi këtë testim si “rutinor” dhe tha se “ishte pjesë e planit tonë vjetor të stërvitjeve”.
“Është në linjë me ligjin ndërkombëtar dhe praktikat ndërkombëtare dhe nuk ishte drejtuar kundër asnjë shteti apo ndonjë caku”.
Përveç Japonisë, edhe Australia shprehu zemërim për këtë veprim të Kinës, duke kërkuar “shpjegim” nga Pekini, pasi tha se ishte e shqetësuar “nga çdo veprim që mund të destabilizojë dhe të rrisë rrezikun e keqllgaritjes” në rajon.
Zelanda e Re po ashtu tha se lëshimi i raketës, që ra në Paqësorin Jugor, ishte “zhvillim shqetësues”.
Pekini për herë të parë kishte kryer testim të një rakete balistike ndërkontinentale në Paqësorin Jugor në vitet ’80. Që atëherë, Kina kryesisht ka kryer testime të tilla në hapësirën e saj ajrore. /REL/