Veturat kineze po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në tregun ndërkombëtar, ndërsa çmimet dukshëm më të ulëta po i bëjnë ato konkurruese përballë prodhuesve evropianë, japonezë dhe koreanë.
Edhe pse subvencionet shtetërore luajnë rol të rëndësishëm në këtë dallim, ato nuk janë arsyeja e vetme. Sipas kompanisë konsulente AlixPartners, një prej përparësive kryesore të prodhuesve kinezë është qasja më e lehtë në lëndët e para dhe kontrolli më i madh mbi zinxhirin e furnizimit.
Sipas të dhënave të kompanisë, prodhimi i një veture elektrike kineze kushton mesatarisht rreth 20 mijë e 100 euro, ndërsa prodhimi i një veture të krahasueshme në Evropë arrin në rreth 30 mijë e 700 euro. Kjo krijon një diferencë prej më shumë se 10 mijë eurosh, e cila është e vështirë të kompensohet nga prodhuesit evropianë.
Një pjesë e madhe e avantazhit lidhet me përpunimin e lëndëve të para. AlixPartners vlerëson se 80 deri në 85 për qind e kapaciteteve botërore për rafinimin dhe përpunimin e materialeve kryesore ndodhen jashtë Evropës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme është e përqendruar në Kinë.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për industrinë e veturave elektrike, ku bateritë përbëjnë një nga komponentët kryesorë të kostos. Falë qasjes në këto materiale, prodhuesit kinezë mund t’i prodhojnë qelizat e baterive me një kosto rreth 40 euro më të ulët për kilovat-orë krahasuar me prodhuesit evropianë.