Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kina paralajmëron SHBA-në dhe Japoninë “të mos krijojnë armiq imagjinarë”

Kina paralajmëron SHBA-në dhe Japoninë “të mos krijojnë armiq imagjinarë”

Pekini ka paralajmëruar të hënën Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë “të mos krijojnë armiq imagjinarë”, pasi shtetet kanë kritikuar veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore, në bisedimet e mbajtura në Tokio gjatë fundjavës.

“Ne u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë që të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës dhe të mos krijojnë armiq imagjinarë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian.

Pas bisedimeve të mbajtura të dielën në kryeqytetin japonez, SHBA-ja dhe vende tjera kanë kritikuar “veprimet destabilizuese” të Pekinit në Detin e Kinës Jugore, derisa kanë dënuar edhe rritjen e bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe homologët japonezë, kanë ripërsëritur “kundërshtimet ndaj pretendimeve të paligjshme të Kinës në det, dhe veprimet provokative e kërcënuese në Detin e Kinës Jugore”, është thënë në deklaratën e përbashkët.

Autoritetet kineze kanë thënë të hënën se në deklaratën e përbashkët është përzier e mira me të keqen dhe sulmohet politika e Jashtme kineze.

Lin ka thënë se Kina hedh poshtë të gjitha pretendimet e bëra në deklaratë.

Powered by WordPress