Kina njoftoi të martën se po ndalon për arsye parimore eksportin e metaleve të galiumit, germaniumit dhe antimonit dhe materieve të tjera që gjejnë përdorim të gjerë në fushën e teknologjisë së lartë dhe që mund të përdoren në sektorin ushtarak, në shenjë hakmarrjeje ndaj kufizimeve që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur eksporteve që lidhen me gjysmëpërçuesit.
Ministria kineze e Tregtisë njoftoi për këtë vendim pasi Uashingtoni zgjeroi listën e kompanive kineze ndaj të cilave do të vendosen kontrolle eksporti për pajisje për prodhimin e mikroprocesorëve kompjuterik dhe mikroprocesorëve me kapacitet të lartë për ruajtjen e të dhënave. Mikroprocesorë të tillë nevojiten për aplikacione më të avancuara.
Ky ashpërsim i kufizimeve tregtare vjen në një kohë kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kërcënuar se do t’i shumëfishojë tarifat ndaj importeve nga Kina dhe shtetet tjera, të cilat mund të përshkallëzojnë tensionet rreth tregtisë dhe teknologjisë.
Ministria e Jashtme e Kinës gjithashtu bëri një deklaratë të prerë.
“Kina ka protestuar ashpër vendimin e Shteteve të Bashkuara për të përditësuar masat e kontrollit të eksporteve për gjysmëpërçuesit, për sanksionet kundër kompanive kineze dhe shtypjen keqdashëse të përparimit teknologjik të Kinës”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian të martën.
“Duam të theksojmë se Kina kundërshton këtë zgjerim të tepërt të konceptit të sigurisë kombëtare, abuzimit me masat e kontrollit të eksportit, sanksioneve të jashtëligjshme e të njëanshme dhe juridiksionin aty ku nuk i takon”, tha zëdhënësja Lin.
Mineralet që nxirren në Kinë përdoren për mikroprocesorë kompjuterësh, automjete
Në korrik të vitit 2023, Kina njoftoi se do të kërkonte nga eksportuesit të aplikojnë për leje në mënyrë që të dërgojnë në Shtete të Bashkuara metale të rëndësisë strategjike, siç janë galiumi dhe germaniumi.
Në gusht, Ministria kineze e Tregtisë tha se do të kufizonte eksportet e antimonit, që përdoret në një sërë produktesh duke filluar nga bateritë e deri tek armët dhe të imponojë kontrolle më të ashpra ndaj eksportit të grafitit.
Mineralet e tilla po konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare. Kina është prodhues i rëndësishëm i antimonit, i cili përdoret në pajisjet për ndalimin e zjarrit, bateritë, syzeve për vëzhgim gjatë natës dhe prodhimin e armëve bërthamore, sipas një raporti të Komisionit amerikan për Tregtinë Ndërkombëtare.
Kufizimet e vendosura nga Pekini të martën gjithashtu përfshijnë materiale të tjera të ngurta, siç janë diamantet dhe materialet sintetike. Ato përdoren në shumë fusha industriale përfshirë mjetet për prerje, disqe frenuese dhe sipërfaqet mbrojtëse. Kriteret për lejet që Kina i shpalli në gusht gjithashtu përfshinë teknologjinë e shkrirjes dhe ndarjes së metaleve dhe makineritë tjera që lidhen me përpunimin e këtyre materialeve të ngurta.
Kina ka rezervat më të mëdha në botë të galiumit dhe germaniumit, të cila prodhohen në sasi të vogla por që nevojiten për prodhimin e mikroprocesorëve kompjuterik për telefonat celularë, veturat dhe produktet tjera, si dhe panelet e diellit dhe teknologjinë ushtarake.
Kina thotë se po mbrohet nga kufizimet tregtare të SHBA-ve
Pasi pala amerikane njoftoi se po shtonte 140 kompani në të ashtuquajturën “listën e entiteteve” ndaj të cilave u vendosën kontrolle të rrepta eksporti, Ministria kineze e Tregtisë protestoi dhe tha se do të vepronte për të mbrojtur “të drejtat dhe interesat” e Kinës. Gati të gjitha kompanitë e prekura nga kufizimet më të reja të Uashingtonit ndaj eksporteve gjenden në Kinë, ndonëse disa kompani me pronarë kinezë janë edhe në Japoni, Kore të Jugut dhe Singapor.
Të dyja qeveritë thonë se vendimet e tyre për kontroll eksportesh janë të nevojshme për sigurinë e tyre kombëtare.
Qeveria e Kinës është e zemëruar nga kufizimet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara për qasje ndaj mikroprocesorëve të avancuar dhe teknologjive të tjera për shkaqe sigurie, por ka qenë e kujdesshme në kundërpërgjigjen e saj, mbase në përpjekje për të mos penguar sektorin kinez që merret me zhvillimin e mikroprocesorëve, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të tjera, i cili është në fazën fillestare.
Shoqata të ndryshme të industrisë kineze kanë bërë deklarata për të protestuar kundër masave amerikane që u kufizojnë qasjen ndaj teknologjisë për prodhimin e mikroprocesorëve të avancuar.
Shoqata kineze e Prodhuesve të Automjeteve tha se kundërshton shfrytëzimin e sigurisë kombëtare si bazë për kontrollin e eksporteve, dhe siç u shpreh, “abuzimin e masave për kontrollin e eksportit, si dhe bllokimin keqdashës e shtypjen e Kinës”.
“Një sjellje e tillë shkel rëndë ligjet e ekonomisë së tregut dhe parimin e konkurrencës së drejtë, minon regjimin ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar, prish stabilitetin e zinxhirit botëror industrial dhe përfundimisht dëmton interesat e të gjitha shteteve”, thuhet në deklaratë.
Shoqata Industriale e Gjysmëpërçuesve në Kinë bëri një deklaratë të ngjashme, duke shtuar se kufizimet e tilla po prishin zinxhirët furnizues dhe po shtonin koston për kompanitë amerikane.
“Produktet amerikane të mikroprocesorëve nuk janë më të sigurta dhe as të qëndrueshme. Industritë e caktuara të Kinës duhet të jetë të kujdesshme kur blejnë mikroprocesorë amerikanë”, thuhet në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara sigurojnë gjysmën e furnizimit me metalet e galiumit dhe germaniumit nga Kina, sipas Institutit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara. Kina eksporton rreth 25 ton galium në vitin 2022 dhe prodhon rreth 660 ton germanium në vit. Shtetet e Bashkuara kanë rezerva të mineraleve të tilla, por nuk i kanë mihur ato, ndonëse disa projekte janë në zhvillim e sipër për të shqyrtuar mënyrat se si mund t’i shfrytëzojë këto burime.
Kufizimet në eksport kanë patur ndikim të përzier në çmimet e këtyre mineraleve kritike. Çmimi i antimonit është dyfishuar këtë vit në 25,000 dollarë për ton. Çmimet e galiumit, germaniumit dhe grafitit gjithashtu janë rritur. /VOA