Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Khamenei zotohet se do të ketë përgjigje për sulmet ndaj Iranit dhe aleatëve

Khamenei zotohet se do të ketë përgjigje për sulmet ndaj Iranit dhe aleatëve

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është zotuar të shtunën se do të hakmerret kundër sulmeve të Izraelit dhe aleateve të tij, Shteteve të Bashkuara, që kanë shënjestruar Teheranin dhe grupet që mbështet në rajon.

“Armiqtë, si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe regjimi zionist, e dinë se do të përballen me përgjigje të ashpër për atë që janë duke bërë kundër Iranit, kombit iranian, dhe frontit të rezistencës”, ka thënë Khamenei në një fjalim para studentëve në Teheran.

Ai i është referuar aleancës së grupeve të armatosura që përkrahen prej Iranit, përfshirë rebelët Huthi të Jemenit, Hezbollahun e Libanit dhe grupin palestinez, Hamas.

Hamasi dhe Hezbollahu janë shpallur grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka futur në listën terroriste Hamasin, dhe vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut.

Tensonet rajonale janë përshkallëzuar prej shpërthimit të luftës në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.

Si pasojë e fushatës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 43.000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka nisur të sulmojë qysh atëherë zonën kufitare me Izraelin, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin.

Prej ofensivës së nisur nga Izraeli në Liban, në fillim të tetorit, janë vrarë të paktën 2.890 njerëz, sipas autoriteteve libaneze.

Më 26 tetor, Izraeli ka nisur sulmet ajrore kundër zonave ushtarake të Iranit, si përgjigje ndaj sulmit të 1 tetorit të Teheranit kundrejt Izraelit.

Edhe ai sulm ka qenë hakmarrje për vrasjet e liderëve të grupeve militante dhe të një komandanti të Gardës Revolucionare.

Të paktën katër ushtarë iranianë janë vrarë në ato sulme të Izraelit, të cilat sipas autoriteteve kanë shkaktuar “dëm të kufizuar” në disa sisteme të radarit.

Në fjalimin e tij, Khamanei është lutur për ushtarët e vrarë dhe ka thënë se “nuk do të harrohen” përpjekjet e tyre për përballje me Izraelin.

Izraeli, në anën tjetër, ka paralajmëruar kundër ndonjë hakmarrjeje pas sulmeve të 26 tetorit.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur të premten se do të pozicionojnë asete ushtarake shtesë në Lindje të Mesme, përfshirë shkatërrues të raketave balistike dhe aeroplanë luftarakë me rreze të gjatë.

Ky njoftim është parë si paralajmërim për Iranin.

Khamenei ka thënë se Irani është “duke bërë gjithçka që duhet bërë për të përgatitur kombin iranin, qoftë në aspektin ushtarak, apo në atë të armëve, si dhe në rrafshin politik”, por pa dhënë më shumë hollësi.

Të shtunën, edhe zëdhënësi i Gardës Revolucionare të Iranit, Ali Mohammad Naini, ka thënë se Irani do të përgjigjet “me vendosmëri”, ndaj Izraelit.

“Armiku duhet ta mësojë se nuk mund të kryejë djallëzitë që dëshiron, do të përballet me përgjigje të ashpër”, ka thënë Naini, sipas agjencisë së lajmeve, Fars./REL/

Powered by WordPress