Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > KGJK ndryshon normën për punën e gjyqtarëve, largon poentimin e vendimeve që konstatojnë parashkrimin e rasteve

KGJK ndryshon normën për punën e gjyqtarëve, largon poentimin e vendimeve që konstatojnë parashkrimin e rasteve

 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ( KGJK) në vazhdimin e mbledhjes së 334-të, ka bërë ndryshimin e rregullores numër 10/2020 për normën e gjyqtarëve, duke larguar poentimin e vendimeve që nxjerrin gjyqtarët, në rastet kur konstatojnë parashkrimin absolut të veprave penale.

Kryesuesi Albert Zogaj tha se deri te ky ndryshim kanë ardhur pas diskutimeve që janë zhvilluar me gjykatës, si dhe shfrytëzimin e mundësive të disa gjyqtarëve që të arrijnë normën e paraparë të punës, pikërisht me natyrën e këtyre vendimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj mbledhjeje, kryetarët e gjykatave raportuan për periudhën tremujore korrik-shtator 2024.

Në këtë rast, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra tha se këtë periudhë raportuese e ka karakterizuar lëvizja e madhe e gjyqtarëve, ku si rezultat i këtyre lëvizjeve kanë bërë ricaktime të gjyqtarëve nëpër lëndë.

Kryesuesi Zogaj tha se Gjykata Themelore Prizren, dega në Suharekë ka pasur performancë të mirë.

“Suhareka ka perfundu lëndë sa gjysma e Gjykatës në Prizren-Civile dhe nëndega në nivelin me të mirë”, tha Zogaj.

Raportimin e vazhdoi kryetari i Gjykatës Themelore Gjakovë, Nikollë Komani, i cili tha se tashmë janë transferuar në objektin e ri dhe se në përgjithësi është i kënaqur me punën e bashkëpunëtorëve profesionalë.

Kryesuesi Zogaj pas raportimit të Komanit, tha dega e Gjykatës në Malishevë mund të bëjë punë më të madhe në krahasim me punën që është bërë, andaj duhet të mobilizohet për një rezultat më të mirë.

Gjithashtu, në Këshill raportoi edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, i cili tha se kanë avancuar me zgjidhjen e lëndëve që burojnë nga Kontrata Kolektive dhe se do të kërkojë angazhim më të madh të bashkëpunëtorëve.

Por, sipas tij edhe gjyqtarët duhet t’i angazhojnë me më shumë punë bashkëpunëtorët profesionalë.

Për Gjykatën Themelore në Ferizaj, raportoi kryetari i saj- Mustafë Tahiri, i cili tha se ende ka lëndë të mëdha në civile që burojnë nga Kontrata Kolektive dhe se parashkrimi i lëndëve nuk është sfidë për ta si gjykatë.

Në fund, raportoi edhe kryetari i Gjykatës Themelore Mitrovicë, Bekim Veliqi, i cili tha se përkundër sfidave me objektin dhe ambientin e punës, synojnë rritjen e efikasitetit, duke e veçuar për efikasitet të lartë Departamenti për Krime të Rënda.

Ndërsa, kryesuesi Zogaj tha se Gjykatëa Themelore në Mitrovicë- Dega në Vushtrri ka bërë punë të jashtëzakonshme, andaj i përgëzoi për punën e bërë. Sipas tij, vetëm në rastet e natyrës civile janë përfunduar mbi 3 mijë lëndë.

Këshilli më pas miratoi rregulloren për incizimin audio dhe incizimin audio dhe video të seancave gjyqësore, për të cilën kryesuesi Zogaj tha se falënderon në veçanti Ambasadën Amerikane për ndihmën e ofruar.

Po ashtu, u miratua edhe Rregullorja për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores nr.16/2023 për Trajnimin e Gjyqtarëve, te pjesa e angazhimit të gjyqtarëve në trajnime.

Gjithashtu, u miratua edhe Rregullorja për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administrator/Zëvendës-administrator të Gjykatave, për çka paraprakisht pati diskutime midis anëtarëve të Këshillit.

Sipas anëtarit Qerim Qerimi, Rregullorja në fjalë tek pjesa e provojës menaxhuese parasheh periudhë kohore menaxheriale paksa të lartë për çka u pajtuan edhe anëtarët Teutë Ibrahimi dhe Fahret Vellija.

Mirëpo, anëtari Vilard Bytyqi tha se pozita e tillë e punës bazuar në përgjegjësitë dhe pagën që ka, duhet të parasheh kritere të një provoje të lartë menaxheriale para se të bëhet emërimi.

Më pas, u autorizua nënshkrimi i memorandumit mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkëmbimin e Objektit C në Pallatin e Drejtësisë me parcelën e KGJK-së.

Nga kryesuesi Zogaj u kërkua që të kushtëzohet fillimi i ndërtimit të objektit të Prokurorisë gjatë vitit 2025 dhe njëkohësisht kërkoi nga Sekretariati i KGJK-së që të ruhet kodi buxhetor nëse veç KPK dështon me ndërtimin e objektit.

Në këtë mbledhje, u bë edhe shpallja e konkursit për administratorë të gjykatave, duke u formuar edhe Komisioni për zhvillim të procedurave.

Po ashtu, u miratua nënshkrimi i memorandumit me Arkivat e Kosovës, që objekti ku ka qenë Gjykata Themelore në Gjakovë të jepet në shfrytëzim për Arkivat e Kosovës për ruajtjen e arkivave edhe të noterëve si dhe një pjesë për Komunën e Gjakovës.

Ndërkaq, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura për vazhdimin e seancës dëgjimore në lëndën disiplinore Nr.AD/KGJK/08/2024/GJTHGJL-AD.GJTH.GJL.nr.10/2024, vazhdimin e seancës dëgjimore në lëndën disiplinore Nr.AD/KGJK/09/2024/GJTHGJLAD.GJTH.GJL.nr.11/2024, si dhe vazhdimin e seancës dëgjimore në lëndën disiplinore AD/KGJK/03/2024/GJTHGJL-AD.GJTH.GJL.nr.5/2024 dhe Nr. AD/KGJK/05/2024/GJTHGJL-AD.GJTH.GJL.nr.7/2024.