Batalioni manovrues i Komandës Rajonale-Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, ka zhvilluar një stërvitje shumëkombëshe për Kontrollin e Turmës dhe Trazirave (Crowd and Riot Control – CRC) në kampin ushtarak Camp Novo Selo në Kosovë.
Gjatë stërvitjes, kontingjenti polak demonstroi aftësitë e tij në thyerjen e pengesave, veprim nën presion, mbështetje në procedurat për Asgjësimin e Mjeteve Shpërthyese (EOD), si dhe në ofrimin e ndihmës për të lënduarit.
Në të njëjtën kohë, ekipet amerikane ndihmuan në aktivitetet EOD, ndërsa ushtarët nga Letonia ofruan mbulim me dron, duke treguar koordinim dhe ndërveprim të lartë ndërmjet njësive shumëkombëshe të KFOR-it.
“Këto stërvitje forcojnë kohezionin, ndërveprueshmërinë dhe besimin e ndërsjellë — elementë thelbësorë për të ruajtur gatishmërinë dhe efikasitetin në mjedise të ndërlikuara sigurie,” u theksua gjatë aktivitetit.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe në sigurimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Misioni punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të reagimit në fushën e sigurisë.