Barrikadat në veri të vendit akoma nuk kanë lëvizur, ndërkohë që situata e përgjithshme e sigurisë aktualisht është e qetë.
Ushtarët italianë në kuadër të KFOR-it po qëndrojnë krejt pranë barrikadës tek udhëkryqi afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës.
Një helikopter i KFOR-it po ashtu po vëzhgon situatën nga ajri herë pas here, ndërsa edhe automjetet e EULEX-it janë duke qarkulluar shpesh në këtë zonë.
Burime bëjnë të ditur se për shkak të mosmarrëveshjeve brenda barrikaduesve, barrikadat akoma nuk po lëvizin.
“Ka zhgënjim të madh në mesin e barrikaduesve ndaj kreut të shtetit të Serbisë. Nuk mjafton vetëm lirimi i Dejan Pantiqit, duhet të lirohen edhe Miljan Axhiq e Sllagjan Trajkoviq. Edhe policët shqiptarë duhet të largohen nga veriu, pastaj hiqen barrikadat”, kanë thënë këto burime.
Ndryshe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të patrullojnë nëpër zonat e banuara me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës. /TV Arbëria