Blog Post

Arbëria TV > Lajme > KFOR-i: Ushtria serbe nuk ka nevojë për autorizim për të lëvizur në territorin e vet, FSK nuk mund të shkoj në veri pa miratimin tonë

KFOR-i: Ushtria serbe nuk ka nevojë për autorizim për të lëvizur në territorin e vet, FSK nuk mund të shkoj në veri pa miratimin tonë

Pas raportimeve se ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, kanë vizituar pak ditë më parë njësitë e Forcave të Armatosura Serbe (SAF) të vendosura në zonën e Rashkës, rreth 2 kilometra nga Vija Kufitare Administrative (ABL) me Kosovën, është e dobishme të kujtojmë se Forcat e Armatosura Serbe nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe për t’u trajnuar në territorin serb.

Në një komunikatë për media të KFOR-it thuhet se në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, nga SAF (Forcat e Armatosura Serbe) kërkohet të informojnë shtabin e KFOR-it vetëm në rast se disa nga njësitë e tyre duhet të shkojnë më afër se 1000 metra nga ABL (Vija Kufitare Administrative).

“Informacioni duhet t’i jepet KFOR-it nga Komisioni i Përbashkët Zbatues (JIC), misioni i të cilit është të lehtësojë komunikimin dhe mirëkuptimin ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe Forcave Serbe të Sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës. KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të pajtimit.

“Kujtojmë se të gjitha palët kanë respektuar gjithmonë marrëveshjet ekzistuese, dhe u bëjmë thirrje që të vazhdojnë ta bëjnë këtë. KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të ofruar një mjedis të qetë e të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet nën mandatin tonë të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999. KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren dhe aktivitetet përgjatë Vijës Kufitare Administrative (ABL), duke mbështetur dialogun për të arritur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media të KFOR-it.   /TV Arbëria