Tashmë, ndoshta e dini mirë rëndësinë e përdorimit të kremit kundër diellit nëse jeni duke kaluar një ditë pranë pishinës ose në plazh. Por kur bëhet fjalë për ekspozimin e shkurtër ndaj diellit, rregullat mund të duken pak më të paqarta.
Ndërsa Akademia Amerikane e Dermatologjisë (AAD) i udhëzon njerëzit që “të aplikojnë krem kundër diellit çdo ditë në lëkurën që nuk mbulohet me veshje nëse do të jeni jashtë”, biseda në rritje në internet e ka bërë të qartë se jo të gjithë janë dakord me këtë qasje strikte, shkruan Health.com.
Disa njerëz kanë ngritur idenë se nuk kemi nevojë të përdorim fare krem kundër diellit.
Por çfarë thonë dermatologët?
Sipas artikullit në The Atlantic “për shkak se rrezet ultraviolet nga dielli mund të shkaktojnë kancer të lëkurës, Akademia nuk rekomandon marrjen e vitaminës D nga ekspozimi në diell”.
Megjithatë, Diya Mutasim, MD, profesoreshë në departamentin e dermatologjisë në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Cincinnati, i tha Health se “ka një avantazh në ekspozimin ndaj pak dritës së diellit për sintezën e vitaminës D dhe për disponimin tuaj”.
“Në fund të fundit është një çështje e gjetjes së një ekuilibri midis rreziqeve dhe përfitimeve, në mënyrë ideale një ekuilibër në të cilin përfitimet tejkalojnë rreziqet. Siç u them pacientëve të mi, ka dy mënyra kryesore për të marrë vitaminën D, ekspozimi ndaj diellit kundrejt suplementeve. Vetëm një nga këto dihet se rrit rrezikun e kancerit të lëkurës, por ju duhet të zgjidhni vetë”, shtoi tutje ajo.
Ajo që është e qartë, shkruan Health.com, transmeton Klankosova.tv, është se kushdo që planifikon të qëndrojë në diell për një periudhë të gjatë duhet të mbrojë lëkurën, kjo do të thotë të aplikoni një krem dielli rezistent ndaj ujit me mbrojtje me spektër të gjerë dhe një SPF prej të paktën 30 gradë celsius.