Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Këtë muaj nis shqyrtimi i mundshëm i shtrenjtimit të rrymës për vitin 2026

Këtë muaj nis shqyrtimi i mundshëm i shtrenjtimit të rrymës për vitin 2026

Rritja e ndjeshme e importit të energjisë elektrike dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar shqetësimet për sektorin energjetik në Kosovë, duke hapur debat për mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë për vitin 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntëmujorit të këtij viti importi i energjisë elektrike është rritur për 48 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa prodhimi vendor ka rënë për rreth 20 për qind.

Njohësi i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka paralajmëruar se importi i energjisë është rritur ndjeshëm edhe në fillim të vitit 2025. Sipas tij, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë importuar rreth 125 milionë euro energji, krahasuar me rreth 45 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Kjo rrit frikën se mund të ketë korrigjim të tarifave të energjisë për vitin 2026”, ka thënë Haxhimusa, duke theksuar se rritja e importeve ka ndodhur edhe para nisjes së renovimit të termocentralit “Kosova B”.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë bërë të ditur se shqyrtimi i tarifave për vitin 2026 do të nisë në fund të këtij muaji dhe pritet të zgjasë deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, pa konfirmuar nëse ka indikacione për rritje të çmimeve.

Ndërkohë, ZRRE-ja është kritikuar për mungesë transparence, përfshirë mospublikimin e Planit Vjetor të Energjisë për vitin 2025, i cili është miratuar, por ende nuk është bërë publik.