Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kështu foli populli

Kështu foli populli

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Sovrani dje e tha fjalën e vet. Mesazhi është i qartë. Të gjitha partitë politike kanë pësuar rënie elektorale. Që krahasimi të jetë i plotë, normalisht duhet të pritet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku përfshihen edhe votat me kusht si dhe të diasporës, por tendenca është e qartë.

Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar tkurrje serioze në raport me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Mirëpo, më mirë nuk kanë kaluar as paritë serioze. Zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës se këto mund të jenë alternativë përfaqësuese në raport me partinë në pushtet është shtuar. Asnjëra prej tyre nuk ia doli t’i përvetësoi votat e humbura të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të shndërrohet ne inspirim për mobilizim politik.

Në kampin e partive opozitare humbëse më e madhe mbetet Partia Demokratike e Kosovës. Kurse numerikisht Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ia doli të përfitojë asgjë nga dorëzimi i saj politik para Vjosa Osmanit, duke ia besuar asaj betejën kundër Albin Kurtit dhe duke i margjinalizuar disa prej figurave tradicionale të saj që kishin mbajtur qëndrim konsistent kundër pushtetit të Albin Kurtit. Aleanca për shkak të sfidës nga ndërrimi i lidershipit ia doli ta tejkaloi një sfidë serioze.

Natyrisht, për shkak të rritjes së përqindjes në fitimin e ulëseve, secila prej subjekteve parlamentare do të tentojë ta shpall këtë rezultat si fitore. Pra në vend se ta dëgjojnë heshtjen dhe mungesën e mbështetjes gjithnjë e më të madhe nga qytetarët ato kanë vendosur t’i dëgjojnë vetëm militantët e tyre. Pra sa më pak përfaqësuese që po bëhen në popull aq më shumë po entuziazmohen me “fitoren e Pirros” që janë duke e përjetuar.

Risia e këtyre zgjedhjeve ishte garimi i Partisë Social Demokrate. Siç e tha vetë kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, as ky subjekt nuk e mori mbështetjen që e ka synuar. Ndonëse, pak pas mbylljes së kutive të votimit shumë nga kritikat që përfaqësuesit e saj kishin adresuar ndaj partive politike opozitare filluan trë vërtetohen. Asnjëra prej tyre nuk e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe duket që pikërisht kjo kritikë ndaj partive politike parlamentare opozitare ka ndikuar qe mbështesit e tyre qe janë kundër Kurtit të revoltohen edhe ndaj qasjes se tyre. Ndonëse as ky subjekt nuk ia doli ta kapitalizoje politikisht këtë tendence, megjithatë ajo e ka bërë te qarte se tashmë ne shoqëri gjithnjë e me shumë po fermentohet apetiti për nje subjekt politik përtej partive aktuale. Se kush do ta shfrytëzojë këtë shans mbetet të shihet.