Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së thotë se lufta në Ukrainë “s’mund të përfundojë në fushëbetejë”

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së thotë se lufta në Ukrainë “s’mund të përfundojë në fushëbetejë”

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, parashikoi parimet kryesore që ai tha se do t’i nxisin bisedimet e paqes në ditët e ardhshme midis figurave të larta të administratës Trump dhe zyrtarëve të lartë rusë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Waltz tha në “Fox News Sunday” se lufta në Ukrainë “nuk mund të përfundojë në fushën e betejës”, shkruan CNN.

“Zelensky do të ishte shumë i mençur të hynte në këtë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara”, tha Waltz.

Ndërkohë, Waltz tha se garancitë afatgjata të sigurisë ushtarake për vendin duhet të jenë “të udhëhequra nga europianët”.

Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij kanë paraqitur një vizion për përfundimin e luftës që duket se lejon lëshime kyçe për Rusinë, duke ngritur frikën se Ukraina mund të margjinalizohet dhe Europa të lihet jashtë paqebërjes, shkruan CNN.

Waltz, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme Steve Witkoff po planifikojnë të udhëtojnë në Arabinë Saudite për bisedime me Rusinë, thanë dy burime të njohura me planet.

Ukraina “nuk është e informuar” për planet e delegacionit, tha një zyrtar ukrainas për CNN. Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë më parë se vendi nuk do ta pranojë një marrëveshje paqeje të arritur mes SHBA-së dhe Rusisë pa përfshirjen e Kievit.

Waltz tha se aleatët europianë janë përfshirë në biseda rreth konfliktit Rusi-Ukrainë. Ai tha se Trump foli me presidentin francez Emmanuel Macron këtë javë dhe njoftoi një takim të ardhshëm midis Trump dhe kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer.

CNN thotë se ka kontaktuar me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për detaje rreth telefonatës së Trump me Macron.